Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani:

Arratisja e të dënuarve me burgim të përjetshëm nga Drenova nuk ishte rastësi, tha Ministri i Brendshëm, Tahiri.

Dhe kjo është e vetmja e vërtetë që kjo qeveri dhe këta ministra kanë deklaruar deri më tani në lidhje me shkaqet që sollën ngjarjen më të rëndë të burgjeve tona në gjithë këto vite.

Nuk ishte rastësi, sepse arratisja e tyre, dhe rënia e shtetit dy herë brenda një ore, ka të bëjë me mënyrën e qeverisjes dhe me emërimet që dyshja Rama-Meta bëjnë në postet kyçe te administratës shtetërore

Po ju japim sot një fakt që ministrat e mbajnë të fshehur.

Me 11 tetor te këtij viti, dite e premte, është emëruar drejtori i ri i Burgut të sigurisë së Lartë të Drenovës, Pajtim Meçollari.

Të hënën, pas 3 ditësh, pra me 14 tetor, ai është shkarkuar dhe është zëvendësuar me titullarin që ishte në detyrë deri ditën e arratisjes.

Drejtori treditësh u shpërblye normalisht për kontributin që kishte dhënë në fushatë elektorale siç janë shpërblyer edhe dhjetëra te tjere qe kane mbushur sot policinë e shtetit.

Me pas, ministrat zbuluan se ai ndiqej penalisht nga Prokuroria per krim elektoral. E kuptuan se kishin shkelur ligjin dhe u tërhoqën. Por tre ditë, ligjin në burgun e Drenovës e bënte një drejtor i paligjshëm.

Pra asgjë nuk është rastësi. Ngjarja e rëndë vjen si rrjedhojë e papërgjegjshmërisë së qeveritarëve dhe shkeljes së ligjit prej tyre.

Shkelja e ligjit, emërimet klienteliste dhe shpërblimet per militantet politik, ne mos bashkëpunimi i qeveritareve me krimin, janë arsyeja e gjendjes se tmerrshme te rendit dhe sigurisë ne vend.

Partia Demokratike i drejtohet edhe nje here drejtuesve te maxhorancës qeverisëse, të kthejnë në detyrë profesionistët e përkushtuar sepse vetëm ata mund t’i dalin zot rendit dhe sigurisë, në të kundërt kjo ngjarje e rëndë nuk do të jetë e fundit.