Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Ridvan Bode:

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar, është një ditë që fton opinionin e gjerë publik për një reflektim të veçantë, një vëmendje më të ngritur, një kujdes të shtuar, një dhimbje njerëzore për këtë kategori të shoqërisë.

Është në detyrën dhe në moralin e të gjitha qeverisjeve dhe forcave politike që ndaj kësaj shtrese, ndaj faturës sociale të nevojshme të shprehë vëmendjen, kujdesin për të treguar fytyrën njerëzore të një qeverisjeje.

Nën qeverisjen e Partisë Demokratike fatura sociale nga 61.8 miliardë lek/ 618 milionë dollarë, u çua në 141 miliardë lekë/1.4 miliardë dollarë, ose rritur në më shumë se 2.3 herë.

Po kështu edhe në strukturën e buxhetit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto fatura sociale u rrit nga 8.3 përqind, në 10.7 përqind, me 2.5 përqindje mesatarisht në vit e përkthyer në vlerën e buxhetit, me rreth 300 milionë dollarë shtesë në vit me buxhetet respektove.

Vetëm për personat me aftësi të kufizuar fondet u rritën nga 10.5 miliardë lekë në 18.1 miliardë lekë, pagesa e kësaj kategorie është konsideruar gjithmonë prioritare dhe asnjëherë nuk është vonuar, apo nuk është futur në radhën e pagesave të thesarit.

Personat me aftësi të kufizuara sot në Ditën Ndërkombëtare të tyre gjenden të braktisur dhe të harruar nga qeveria Rama.

Pagesat për ta janë pezulluar nga kjo qeveri sepse ata nuk janë dhe nuk mund të jenë prioritet i qeverisë Rama.

Kryeministri Rama u deklaroi sot rreth 200 mijë familjeve që presin ditën të marrin bukën e përditshme se buxheti nuk ka më para për ta dhe se fajin e ka qeveria e mëparshme që harxhoi paratë e buxhetit për fushatë elektorale.

Kryeministri gënjen rëndom në të gjithë këtë periudhë që është ulur në karrigen e tij, çdo ditë, çdo muaj dhe për çdo gjë.

Në tetë muajt e parë të qeverisjes së këtij viti, janë shpenzuar 62 përqind e fondeve të programuara të buxhetit ose dukshëm më pak se 2/3 që i takonte periudhës respektove.
Du7ke patur një realizim në mënyrë ritmike në masën 92 përqind të programit.
Për 4 muajt e fundit, qeveria Rama do të harxhojë 105 përqind të programit fillestar dhe me gjithë atë, për personat me aftësi të kufizuar, nuk ka para.

Buxheti i kryeministrit do të jetë 10 përqind më i madh nga ai që ishte programuar ose rreth 600 milionë lekë të reja më shumë nga sa ishte në fillim të vitit.

Por para’, për persona me aftësi të kufizuar nuk ka.

Qeveria Rama, një muaj më parë ndryshoi buxhetin e vitit 2013 duke rritur defiçitin, huamarrjen me 240 milionë dollarë më shumë duke i njohur të drejtën vetes që në katër muajt e fundit të qeverisjes së tij të marrë 400 milionë dollarë borxh, por në këtë buxhet të rritur nuk ka asnjë kacidhe për personat me aftësi të kufizuar.

Edhe pse në momentin e miratimit të buxhetit nga ana jonë si opozitë është kërkuar shtimi i fondeve për të përballuar pagesën e muajve të fundit.

Kryeministri Rama gënjeu publikisht, kur me demagogji kërkoi të justifikonte rritjen e borxhit duke thënë se 98 milionë lekë nga ky borxh i shtuar do të merreshin për personat me aftësi të kufizuar. Në të vërtetë pakësoi me 20 milionë lekë këtë zë të buxhetit dhe në vend të rritjes së faturës sociale e uli atë më tej në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto edhe me 0.1 pikë përqindje.

Rama nuk ka dhe s’mund të ketë asnjë alibi për lënien pa bukën e përditshme të rreth 200 mijë familjeve, sepse me platformën e tij të përbaltjes ndaj qeverisë së paraardhëse tashmë është bërë tepër bajate dhe askush nuk e beson.

Qeveria Rama që si në kohën e dikurshme ka kthyer emulacionin e tejkalimti të planit është qesharak, kur planet e tejkaluara rrisin borxhin ndaj biznesit, siç bëri muajin duke rritur borxhin ndaj TVSH-së, duke rimbursuar më pak se 1/3-ën e grafikut normal për 8 muajt e parë dhe të shtojë borxhet e reja siç po bën me personat me aftësi të kufizuar që deklaron se paratë e këtij viti do t’i merrni vitin që vjen.

Një fakt dëshmon qartë edhe këtë, në muajin tetor edhe pse shpenzimet e qeverisë janë 105 përqind e programit fillestar janë paguar vetëm 1/3 e vlerës së paguar në tetorin e vitit 2012.

Pra, 2/3 më pak nga 1.4 miliardë lekë që janë paguar në vitin e kaluar, vetëm 500 milionë lekë është paguar nga kjo qeveri për këtë kategori sociale.

Deklaron sukses sepse po tejkalon të ardhurat që i uli vetë dhe i vendosi aq sa dëshironte, por nga këto të ardhura të tejkaluara, siç e shikoni nuk po gjen disa centimë për të paguar personat me aftësi të kufizuar. Kjo situatë dëshmon edhe një herë se kemi të bëjmë me një qeverisje të papërgjegjshme që të vetmin argument dhe justifikim përdor vetëm akuzën dhe përbaltjen e qeverisë paraardhëse edhe pse vetë ka ndërtuar dhe ka miratuar një muaj më parë një buxhet me dorë të lëshuar dhe me borxhe të rritura.