Fjala e plotë e ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode sot në Parlament:

Është në fakt një replikë aspak e dëshiruar nga ana ime dhe mbase pas kësaj dite, nuk kam për të bërë me parafolës ndonjë replikë më.

Ajo që më vjen më keq është dhimbja që ndjej në një situatë të tillë.

Unë po ju them një gjë:

Keni filluar prej muajsh duke baltosur, manipuluar, sharë shifra të cilat ju kam thënë që nuk ju intereson që të futeni në një rrugë të tillë, sepse do të futeni në një gropë shumë të thellë për veten tuaj.

Ju vazhdoni me këmbëngulje, sepse jeni të tmerruar nga pamundësia dhe paftësia juaj për të menaxhuar ekonominë shqiptare në një periudhë tepër të vështirë të saj.

Ne, në fakt në vitin 2012, duhet që ta lexonit me kujdes, e dimë që është viti me rritjen më të ulët ekonomikë në historinë normale të ekonomisë shqiptare.

Që është një vit, ku të gjitha ekonomitë e rajonit janë zhytur në krizë, të gjithë e dimë këtë.

Është një vit, kur kanalet e konmunikimit të krizës rajonale dhe globale në ekonominë shqiptare u zgjeruan dhe u shumëfishuan.

Është një vit që dëshmon përpjekjen vigane të njerëzve të përgjegjshëm për të mos lejuar zhytjen e ekonomisë së vendit në krizë.

Dhe përsëri patëm një rritje ekonomike, 1.6-1.7%.

I nderuar parafolës ke filluar dhe po bëni të njëjtat huqe që keni bërë gjatë gjithë kohës. Kudo ku keni vajtuar, jeni marrë pafund me rrënim, spiunimin dhe falsifikimin e paraardhësve tuaj.

Dhe unë po të them që rrëmo sa të duash dhe nuk ke për të gjetur asnjë shkelje ligji, nuk ke për të gjetur asnjë kushuri të ish-ministrit të Financave në Dogana apo në Tatime.

Nuk ke për të gjetur asnjë rast, kur një ish-ministër i Financave të ketë favorizuar për arsye korruptive.

Nëse një firmë që ndërton një rrugë prioritare në programin e qeverisë është financuar me përparësi, edhe për këtë ju i keni dokumentet dhe kërkesat e ministrisë së linjës të kompanive dhe të vetë administratës.

Për investimet prioritare të qeverisë do të ketë edhe pagesa prioritare, përveç atyre pagesave që janë në linjën normale, konkrete.

Dhe ju e dini shumë mirë që nuk njoh asnjërin prej pronarëve dhe as prej atyre që kanë përfituar nga pagesat në të vërtetë.

Ju po kërkoni që të përbaltni i nderuar dhe flisni këtu pa doganë, flisni “rrompa tomba”, për turpin tuaj të zi.

Nëse, ju thoni se ne kemi mashtruar me borxhin dhe të tjera, përse po votoni sot atë që ne kemi raportuar dhe e kemi thënë që borxhi i Shqipërisë, në vitin 2012 është më i ulti historik.

Dhe e gjithë kjo u arrit sepse ne ulëm shpenzimet në nivelin minimal të tyre.

Nuk kam dëshirë të bëj më replikë me ju, nëse ju flisni për parregullsi, ja ku më keni dhe e dini që prokuroria dhe gjykatat janë të gjitha të hapura.