Sot, ish kryeministri i vendit zoti Sali Berisha priti në një takim ambasadorin e ri austriak në vendin tonë, zotin Thomas Schnöll, i cili sapo ka marrë detyrën në Tiranë.

Zoti Berisha e uroi ambasadorin Schnoll për detyrën e re si dhe i shprehu atij falenderimet dhe mirënjohjen për ndihmën e madhe që kombi dhe shteti austriak i kanë dhënë vendit tonë përgjatë këtyre viteve. Zoti Berisha gjithashtu shprehu vlerësimin më të madh për investitorët austriak që operojnë në vendin tonë dhe ndau me të shpresën që këto marrëdhënie të ecin më tej.

 

Në takim, ish kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit Schnoll bindjen se marrja e statusit ka një rëndësi të madhe për demokracinë dhe mirëqenien në vendin tonë dhe se përsëritja e rekomandimit për herë të dytë,  kësaj rradhe pa kushte shtesë, është frut i përmbushjeve të detyrimeve nga qeveria demokratike.

Zoti Berisha i shprehu ambasadorit Schnöll bindjen se alternanca është gjithmonë e shëndetshme në një sistem demokratik, por kursi i veprimeve të qeverisë në vetëm këto 3 muaj ka ngjallur një shqetësim të thellë. Ai i shprehu ambasadorit Schnoll se në 3 muajt e parë qeveria socialiste po rrëzon me vendime qeverie nene të Kushtetutës dhe ligje të vendit. Ai theksoi se Qeveria Rama – Meta po shpall të pavlefshme me vendime qeverie vendimet e gjykatave, po ecën me shpejtësi drejt shtetit policor, po aplikon dënime kolektive si dhe po krijon një kaos të vërtetë në ekonominë e vendit, duke instaluar në këtë mënyrë një pasiguri juridike, ekonomike dhe sociale. Zoti Berisha theksoi se mungesa e një vizioni dhe programi e qeverisë është burim i kësaj sjelljeje anti ligj dhe anti Kushtetutë, e cila minon parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Ish kryeministri Berisha shprehu bindjen se opozita do ti qëndroj përballë me të gjitha mjetet demokratike këtij kursi antiligjor dhe anti Kushtetutë të qeverisë.

Nga ana e tij Ambasadori Schnöll shprehu rëndësinë e proçeseve të reformave të Shqipërisë dhe se po monitorojnë me interes të gjitha zhvillimet në vend.