Përfaqësuesit më të lartë të Partisë Demokratike, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtues të pushtetit vendor, veteranë të luftës e qytetarë të shumtë janë përulur sot para veprës dhe kontributit të heronjve te kombit shqiptar. Në monumentin “Nënë Shqipëri” vendosën sot kurora me lule, kryetari i Partisë Demokratike dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ish – kryeministri Sali Berisha e personalitete të tjerë.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kujtuar heronjtë e kombit tonë, që nga Ismail Qemali, babai i pavarësisë së Shqipërisë, tek dëshmorët e Luftës Nacional – Çlirimtare, heronjtë e demokracisë e ata që dhanë jetën për liri e më shumë të drejta, në Kosovë, Preshevë e Maqedoni.

“Eshtë detyrimi ynë ta nisim këtë ditë, duke u përkulur me respektin më të madh, mirënjohjen e krenarinë e thellë kombëtare që buron nga shpirti i çdo shqiptari patriot para atyre, mijëra e mijëra dëshmorëve dhe të rënëve, bijve dhe bijave të shqipes që u flijuan në shekuj, që u flijuan për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe bashkimin kombëtar. Sot i kujtojmë këta martirë, veprën e tyre, kujtojmë sakrificat sublime me të cilat i shërbyen kombit të tyre, për të mbetur përjetë të pavdekshëm, jo vetëm në historinë tonë kombëtare por edhe në shpirtrat e kombit dhe popullit të përjetshëm shqiptar. Kujtojmë babain e pavarësisë, Ismail Qemal Vlorën dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët 101 vjet më parë, përkundër vështirësive dhe sfidave të panumërta, ia dolën t’i dështojnë projektet për asgjësimin e kombit shqiptar dhe të shpallin pavarësinë në Vlorë; kujtojmë sakrificën e qindra e mijëra shqiptarëve të tjerë, për të konsoliduar shtetin e sapolindur shqiptar, kujtojmë sakrificën e mijëra dëshmorëve të Luftës Nacional Çlirimtare që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë dhe për rrugëtimin e saj, si një vend i lirë dhe demokratik, rrugëtim i cili për fat të keq për 5 dekada me radhë, u tradhëtua dhe bashkë me të edhe idealet e lirisë e demokracisë; kujtojmë dëshmorët e demokracisë të cilët bënë të mundur përfundimin me sukses të kësaj ëndrre shekullore që përbën edhe ribashkimin e shqiptarëve me familjen e madhe të vlerave dhe lirisë dhe demokracisë, familjes europiane e euro-atlantike; kujtojmë bijtë e shqipes në Kosovë, Preshevë, Maqedoni, që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës, për pavarësinë e saj dhe për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre stërgjyshore” – u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Zoti Basha tha se bazuar mbi këtë gur themeli, të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen për të çuar përpara projektin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, si një faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe drejt destinacionit final, ribashkimin e plotë politik të Shqipërisë dhe shqiptarëve me Europën.

“Bazuar mbi këtë gur themeli të vaditur me sakrifica sublime dhe gjakun e mijëra dëshmorëve, ta çojmë përpara projektin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, si një faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti por edhe si një nga kombet më të vjetra të qytetërimit europian, destinacioni i të cilëve është pa dyshim, Europa. 2013-a, është 101 vjet pas shpalljes së Pavarësisë dhe 100 vjet pas vitit fatkeq 1913, që na kujton se shpesh sakrificat nuk mbarojnë me aktet e mëdha por ato duhet të vazhdojnë. Le të jetë ky pra një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për vendimmarrësit që me kurajo dhe përkushtim të marrin vendimet e duhura, për t’i shërbyer në radhë të parë kombit, vendit, qytetarëve shqiptarë dhe për të lënë mënjanë interesat meskine personale e për të ngritur në piedestal, interesat kombëtare. Uroj që akti i djeshëm i miratimit të rezolutës, propozuar nga Partia Demokratike, për të mbështetur statusin kandidat, si një hap i rëndësishëm dhe në përputhje të plotë me aspiratat e të gjithë atyre që u flijuan për pavarësinë e Shqipërisë, të mos mbetet një akt simbolik dhe i veçuar. Uroj që kjo ditë të shërbejë për të ndërgjegjësuar të gjithë klasën politike shqiptare dhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, për përgjegjësitë e mëdha që na presin, për përgjegjësitë e një gjenerate e cila duke u frymëzuar nga sakrificat e shumta që çuan deri në ditët e sotme, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ditën e pavarësisë së Kosovës, hyrjen në NATO, ditën e dinjitetit të shqiptarëve që të lëvizin pa viza në Europë, të vazhdojmë të përmbushim me besnikëri të plotë të gjitha detyrimet tona, për të plotësuar kilometrat e mbetura për ribashkimin e plotë politik të Shqipërisë me Europën!” – deklaroi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.