Përkujtohet 23 vjetori i krijimit të  PD.

12 dhjetor 2013

Fjala e plotë e kreut të PD Lulzim Basha:

Të dashur demokrate dhe demokratë,

Shkëlqesi ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik,

Miq dhe të  ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në festën e Partisë Demokratike, shtëpisë së madhe të lirisë për të gjithë shqiptarët.

 

Sot përulemi me nderimin më të thellë përpara frymëzuesve, nismëtarëve dhe firmëtarëve të themelimit të Partisë Demokratike, e cila lindi, u rrit dhe do të mbetet përjetë forca e lirive dhe të drejtave të njeriut, forca e zhvillimit dhe integrimit, partia e interesit kombëtar, forca e shpresës së madhe, e vokacionit perëndimor dhe integrimit Euro – Atlantik dhe Europian të Shqipërisë.

Në vitin e njëzet e tretë të kësaj partie të madhe kam nderin të kryesoj këtë kremtim, nder të  cilin e përjetoj si përgjegjësi.

Kam kënaqësinë e veçantë të uroj nga kjo foltore të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike, kudo ku janë:  Gëzuar ditëlindjen e partisë tonë. 

Kjo është një ditë për të nderuar, për të kujtuar, për të  falenderuar, për të reflektuar.

Ne sot nderojmë themelimin dhe themeluesit, nderojmë vazhdimin dhe vazhduesit, shikojmë përpara, përshëndesim të ardhmen.

Duke kaluar para syve të mendjes dhjetorin e përmbysjes së madhe dhe shpresës së madhe të vitit 1990, me flamurin kombëtar pa yll në duart e njerëzve të çliruar nga robëria, me himnin e plotë kombëtar në koret e gjokseve tyre,  me dy gishtat e fitores të ngritur lart dhe me thirrjet për herë të parë në gjuhën shqipe liri demokraci, duke kujtuar të gjitha këto dhe kohën që rrodhi më pas me protagonizmin konstant të Partisë Demokratike në të gjitha ngjarjet e periudhës së re të demokracisë, nderimi dhe mirënjohja ime si kryetar i ri i Partisë Demokratike ju drejtohet gjithë demokratëve, nga i pari tek i fundit, nga ai me teserën më të vjetër tek ai apo ajo me teserën tek apo jo me teserën më të re të partisë tonë. Ne të gjithë bashkë jemi familja e madhe demokrate, që ka bërë historinë më transformuese pozitive dhe që është e vendosur të vazhdojë të bëjë historinë pozitive të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Disa pjesëtarë të dashur të familjes sonë politike janë ndarë nga jeta gjatë kësaj kohe, nuk i kemi më fizikisht mes nesh. Sot kujtojmë, si përherë  me mirënjohje të thellë kujtimin e ndritur të Azem Hajdarit, prijësit dhe heroit të Lëvizjes Studentore, drejtues i lartë politik në Partinë Demokratike nga dita e themelimit të saj deri në çastin kur armiqtë e lirisë na e vranë, por nuk na e morën dot nga përjetësia; kujtojmë Gramoz Pashkon, liberaldemokratin par exelance, themeluesin e orëve të para të Partisë Demokratike, formuluesin e bazave të programit ekonomik të kësaj partie; kujtojmë Pjetër Arbnorin, Mandelën e Shqipërisë, simbolin e kurajos dhe urtësisë, drejtues i lartë i Partisë Demokratike për shumë vite. Kujtojmë Sokol Olldashin, nismëtar, drejtues, deputet, qeveritarin dhe opozitarin e spikatur, mikun që na mungon kaq shtrenjtë të gjithëve. 
Janë ndarë nga jeta, por nuk janë ndarë prej nesh. Na mungojnë fizikisht, por frymë marrin mes nesh e na frymëzojnë të gjithëve me shembullin e tyre, na japin kurajo dhe besim për të shkuar përpara.

Me mirënjohje po aq të thellë kujtojmë dhe nderojmë sot të gjithë  themeluesit e Partisë Demokratike, studentët, intelektualët, elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajës shqiptare që vendosen të sendertonin në kohë rekord pluripartizimin e arritur me mençuri, vendosmëri dhe trimëri, duke krijuar një parti politike të mirëfilltë, Partinë Demokratike, që u afirmua menjëherë si zëri dhe shpirti i aspiratave demokratike dhe kombëtare të popullit, që  caktoi menjëherë drejtimin e ri të  fatit dhe busullës së Shqipërisë së re: Europën, Perëndimin.

Gjithmonë kam ndjerë se ka diçka sublime në lidhjen si një trinitet të tetë dhjetorit të fillimit të protestave studentore, me njëmbëdhjetë dhjetorin e arritjes prej tyre të pluralizmit politik dhe me mesnatën e 11-12 dhjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. Ka patur diçka të rrallë e me natyrë të mrekullueshme në  nxitimin e intelektualëve dhe studentëve themelues për të krijuar pa humbur asnjë minutë Partinë Demokratike.

Besoj se momenti i themelimit ka përcaktuar dukshëm forcën e Partisë Demokratike në lëshimin e saj në histori, vitalitetin e misionit të saj në kohë. 
Gjatë njëzet e tre viteve të jetës së saj, Partia Demokratike ka kaluar sprova të mëdha në pushtet dhe në opozitë, ka jetuar ditë  të bukura dhe të vështira, ka përballuar sfida të mëdha, deri ekzistenciale, ka qenë në ballë të ndryshimeve të mëdha demokratike, ka udhëhequr ëndrrën europiane dhe euroatlantike të shqiptarëve duke e bërë Shqipërinë anëtare të Këshillit të Europës, anëtare të NATO-s, duke mundësuar që shqiptarët të lëvizin të lirë dhe me dinjitet në mbarë Europën dhe me reformat e suksesshme që ndërmorëm, presim sot statusin e vendit kandidat. Ne hapëm kantierin e Shqipërisë së zhvilluar, duke afirmuar në çdo etapë të kësaj maratone të gjatë vlerat tona më të mira, figurat tona më të shquara, themelues, qëndrestarë, prurje të reja të vazhdueshme nga brezat e rinj, të bashkuar të gjithë në besëlidhjen e vlerave të lirisë.

Njeriu që e mishëron si askush tjetër gjithë këtë histori të madhe, që nga çasti i parë i themelimit të Partisë Demokratike e deri në ditën e dorëheqjes nga posti i kryetarit të saj është padyshim Sali Berisha, lideri i saj historik. Demokracia shqiptare dhe Sali Berisha janë një binom i pakrahasueshëm. Demokratët e çdo gjenerate janë krenarë që kanë patur për më shumë se dy dekadave një lider të këtyre përmasave.

Unë jam i vetëdijshëm se sfida për të hapur një kapitull të ri dhe një histori të re suksesi në jetën e Partisë Demokratike është e madhe.

Kjo është  sfida jonë e re, sfida jonë e përbashkët, për fillimin e ri, për ringritjen, ribashkimin, rikthimin si shumicë  dhe në qeverisje me energji të reja, me ide të reja, me projekte të reja për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë- zonjë mes vendeve simotra të  Bashkimit Europian.

Do ta bëjmë. Do ta arrijmë.

Kjo sfidë ka nisur me perceptimin e ri të misionit tonë në opozitë,  duke ndërtuar dhe zbatuar modelin e një opozite të fortë, ballore, pa pauza, të mbështetur në fakte, argumente dhe arsye, mbrojtëse e vendosur e demokracisë dhe e shtetit ligjor nga arbitrariteti dhe paligjshmëria, flamurmbajtëse pa kushte e ëndrrës dhe aspiratës europiane të çdo qytetari shqiptar.

Sfida e fillimit të ri dhe ringritjes po merr dhe do të marrë një përmasë  të re me çeljen e nj
ë kuvendimi të madh, të lirë e të përgjegjshëm të gjithë anëtarësisë të Partisë Demokratike për çfarë kemi bërë mirë, çfarë nuk kemi bërë mirë, çfarë duhet të korrigjojmë, reflektojmë e krijojmë për të ardhmen; me hapjen e re e të fuqishme të partisë  ndaj brezit të ri, me ribashkimin, riaktivizimin dhe rivlerësimin e të gjithë demokratëve dhe kontributeve që ata kanë dhënë ndër vite në partinë e tyre, me zgjerimin dhe modernizimin e Partisë Demokratike si shtëpia e madhe e lirisë së shqiptarëve, me konceptimin dhe lancimin e një propozimi të ri politik për një demokraci të re,  duke marrë shtytje dhe frymëzim edhe nga mesazhet që dhanë protestat e rinisë shqiptare të muajit nëntor për një demokraci pjesëmarrëse, që mbështetet në parimet e përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies. 

Të dashur miq,

Partia Demokratike lindi nën terrorin e regjimit më të egër që kishte njohur Europa e pasluftës. Ajo u rrit dhe u fuqizua në zemrat,  mendjet dhe shpirtin e çdo shqiptari. Prandaj, asgjë dhe askush nuk mund ta gjunjëzojë atë. Partia Demokratike është ngritur e ringritur gjithnjë e më e fortë. Së bashku me ju demokratë dhe demokrate, themelues dhe qëndrestarë, të rinj dhe të reja që e shikoni këtë forcë politike si shpresën e të ardhmes tuaj, ne do ta ringremë fuqinë e Partisë Demokratike me të njëjtën forcë që u themelua 23 vjet më parë për ta kthyer aty ku e ka vendin në drejtim të projektit të Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë moderne dhe europiane.

Kthimi ynë në histori, në një festë si kjo e sotmja, është gjithashtu një udhëtim në të ardhmen. Të shohim të ardhmen, ta arrijmë atë, ta bëjmë të sotme dhe trashëgimi të brezave është mjeshtëria jonë si demokratë. Partia Demokratike ka lindur e re dhe do të mbetet e re, ka lindur europiane dhe do të mbetet europiane, ka lindur kombëtare dhe do të mbetet kombëtare, ka lindur popullore dhe do të mbetet popullore, ka lindur largpamëse dhe do të jetë  largpamëse, ka lindur e madhe dhe do të bëhet edhe më e madhe,  për Shqipërinë, për demokracinë.

Rroftë Partia Demokratike!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Gëzuar !