Mesazhi i kryetarit të Partisë Demokratike në bashkëbisedimin me studentët e UET:

3 Dhjetor 2013

Faleminderit për fjalët e ngrohta të mirëseardhjes. I ratë pikës me temën që unë kam zgjedhur të nis këtë bashkëbisedim, me këtë auditor që më ka nderuar me pjesëmarrje dhe vëmëndje në sezonin e provimeve për të cilat ju uroj sukses gjithsesilit prej jush.

Tema është pikërisht me atë çka Universiteti Europian i Tiranës krenohet me të drejtë dhe uroj që të gjitha universitetet të krenohen me nxitjen dhe jo shtypjen e pjesëmarrjes së studentëve, të pedagogëve dhe të gjithë ndjekësve të botës universitare, për një pjesëmarrje sa më aktive, shoqërore dhe politike.

Dhe marr shkas nga ky prezantim për të dalë drejtpërdrejtë në atë që unë kam zgjedhur si temën kryesore e natyrisht krejtësisht i hapur për bashkëbisedimin dhe temat e ndryshme që ju mund të cekni në këtë bashkëbisedim.

Dalngadalë muaji nëntor u mbyll dhe ka nisur dhjetori dhe skenat e paharrueshme të protestave të nëntorit, që përfunduan me festën e fitores në Tiranë dhe në mbarë Shqiperinë, sikur po zenë vend në atë pikë të ndërgjegjes që quhet kujtesë.

Jeta politike dhe shoqërore i është kthyer rutinës. Debate në Kuvend, debate në media, arratisje të burgosurish nga një burg i sigurisë së lartë, aksidente në rrugë,  pingpongu “e ka kush e ka”, shpërblimi i militantizimit me poste shtetërore,  jeta shqiptare duket se vazhdon të  përserisë  vetveten në të keqe dhe në të mirë…

Në një masë është e kuptueshme sepse rutina ka qënë, është dhe do të jetë bashkudhetare e jetës sonë dhe jo vetëm në këtë shoqëri por në çdo shoqëri.

Por në bindjen time, në gjykimin tim personal, që uroj dhe shpresoj ta ndaj me shumë prej jush sot këtu në këtë sallë e përtej kësaj salle, asgjë nuk është më si më parë në Shqipëri, asgjë nuk mund të jetë siç ka qenë. Sepse ka ndodhur Nëntori i protestave rinore e mbarëqytetare, fund e krye të reja në mënyrën si u organizuan, në përmasat që morën, në  stilin si u zhvilluan, në dekorin dhe atmosferën që krijuan, në  nivelin e ri të  vetëdijes demokratike e qytetare për forcën e bashkimit pa dallime politike rreth të mirës publike.

Të rinjtë dhe të reja, studentët dhe gjimnazistët, prindërit e tyre, të rinj apo jo në moshë, burrat dhe gratë e çdo moshe thirren njëri-tjetrin nepërmjet rrjeteve sociale dhe formave të tjera të komunikimit bashkekohor por edhe të komunikimit të zakonshëm. Nuk u pa kush duke shpërndarë derë me derë ftesa, thirrje; nuk u panë dhe nuk u dëgjuan gjëkundi duke buçitur rrugë me rrugë e lagje me lagje altoparlantët e vjetër të politikës; nuk pati zarfe dhe as shpërblime në shkëmbim të daljes në protesta. Njerëzit zbritën në rrugë dhe në sheshe me kushtrimin e një shqetësimi të përbashkët, qytetar dhe atdhetar, që kishte të bënte me dinjitetin, me të drejtën e gjithsecilit prej tyre dhe e gjithsecilit prej nesh, për të vendosur jo vetëm nepërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend, por edhe drejtpërsëdrejti për çeshtje të mëdha të  demokracisë, sigurisë dhe mirëqenies.

Jo frika, por parasëgjithash në bindjen time, zemërimi ndaj shpërfilljes, zemërimi ndaj mungesës së trasparencës dhe monopolizimit të vendimarrjes në duar e një njeriu,  apo një grusht njerezish rreth tij e përhapi këtë kushtrim me shpejtësinë e dritës në çdo shtëpi, në çdo familje, në çdo mendje dhe zemër. Kishte ardhur koha, kishte ardhur dita që rinia shqiptare, qytetarët shqiptarë të merrnin në dorë sovranitetin duke deklaruar një “Jo” të madhe arbitraritetit politik, duke rivendosur hierarkinë e forcave si në një demokarci të pjekur e solide; sovrani i pari, qytetarët të parët, ligji mbi të arbitraritetin.

Dhe ndodhi ajo që lartëson prej shekujsh çdo popull të lirë e të arrirë; rinia shqiptare rivendikoi dhe fitoi në sheshet e protestës sovranitetin, atë që  rëndom i atribuohet pa doganë në  fjalime demagogjike, por që i zhurmohet dhe i mohohet në forma të ndryshme në realitet.

E arriti këtë me bashkim, me zemër, me dashuri, me pastërti, pa bori shurdhuese, pa tellallë të paguar, pa banera të mëdhenj, pa spote të kushtueshme, pa reklama marramendese, pa gjithë këtë dekor gjigandesk që në fakt jo rrallë është pasqyra e korrupsionit dhe arrogancës politike; një botë e vjetër që e pa veten të mundej nga “jo”-të e shkruara me laps në faqet dhe në shuplakat e vajzave dhe djemve të Shqipërisë.

Gjithë bota e ndoqi me pasion protestën e rinisë shqiptare, që nuk e kishte parë më parë, e rinisë sonë të bukur, të bashkuar, moderne, demokratike, modeste, paqësore, të çiltër, shqiptare, europiane dhe amerikane.

Kemi arsye të gjithë të ndihemi shumë të entuziazmuar dhe të inkurajuar me ketë  premtim të Shqipërisë së re.

Të dashur studentë, pedagogë e miq,

Unë jam kryetari i ri i Partisë Demokratike në opozitë, parti e cila, siç e dini ka lindur nga një Lëvizje Studentore që  nxori Shqipërinë nga izolimi gjysëmshekullor dhe e ktheu atë më fytyrë nga Perendimi.

Por nuk e kam dashur e kërkuar këtë takim e ballafaqim,  as nuk e kam pranuar këtë ftesë për të bërë politikën e partisë që drejtoj, as për të kërkuar analogji të sforcuara mes Dhjetorit të lavdishëm të  vitit 1990 dhe nëntorit jo më pak të lavdishëm të vitit 2013.

E kam dëshiruar këtë takim, këtë bashkëbisedim, sëpari për t’ju shprehur ju, kolegëve juaj në këtë universitet dhe në të gjithë botën studentore shqiptare por edhe rinisë jo studentore gjimnaziste, admirimin tim të pakufishëm për atë që jeni, për atë që bëtë, për atë që shënuat si arritje dhe si vlerë të jashtëzakonshme për vendin, për kulturën e re demokratike, për të sotmen dhe të nesërmën.

Së dyti, për të filluar sëbashku, në partneritet dhe respekt të ndërsjelltë, një bashkëbisedim të hapur dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm për një varg çeshtjesh madhore që lidhen me funksionimin dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri, me hapjen e një periudhe të re, të një demokraci të re në Shqipëri, që duhet të jetë e do të jetë ajo e dinjitetit me “D” të madhe e çdo individi, si guri i themelit i një shoqërie të lirë.

Lidhur me sa thashë pak më sipër,  më lejoni të ndaj me ju se jam duke u përpjekur të  lexoj në  thellësi këtë zhvillim të  madh historik në jetën e vendit dhe natyrisht të kuptoj më mirë, detyrat e mia, detyrat e forcës politike që drejtoj, nevojën për një  hapje të re, për një frymë të re, shumë më afër brezit të ri, shumë më afër mendimit të ri që karakterizon shoqërinë civile bashkohore,  duke shtrirë e zgjeruar urat e komunikimit e bashkëpunimit të ngushtë me ta kudo ku ndodhen, ku mësoni, studjoni, ëndërroni, punoni dhe krijoni.
 
E di se çeshja e armëve kimike që hodhi njerëzit në protesta ishte një problem i madh. Por dua të abstragoj këtë moment që u zgjidh ashtu siç ishte vullneti juaj dhe i forcave të ndryshme që u rreshtuan në frontin e “Jo”-së.

Dua të shoh në koncentratin që solli në jetën shqiptare këto protesta,  të cilat përhapen kudo një  ndjeshmëri risie dhe shprese të madhe.

Kthehem e rikthehem në bindjen se protestat e nëntorit janë  nga ato ngjarjet që venë një  kufi të ri ndarës , para dhe pas tyre, domethënë 
para nëntori 2013 kur qutetarët konsideroheshin pak ose aspak,  dhe pas nëntorit 2013 kur qytetari nuk mund të mos pyetet, konsultohet e konsiderohet për të  gjitha çeshtjet e mëdha dhe sidomos për vendime që nuk kanë qënë  pjesë e programit elektoral të partisë në pushtet, pra nuk kanë marrë miratim me votë,  pasi ka lindur përgjatë qeverisjes.
Ngjan si një ëndërr e bukur, por e ardhmja e re gjithnjë e ka hapur rrugën përmes ëndrrave të mëdha. Të fitosh zgjedhjet nuk do të thotë të dalësh mbi popullin, të dalësh mbi ligjin, të  jesh Zoti. Ky mesazh u dha, ky cak u vu,  kjo kulturë fitoi. Një grumbull zakonesh e steriotipesh të vjetra mbaruan kohën e tyre përballë  frymës së re të brezit të ri.

Protestat vendosen një stad të ri të pjekurisë së demokracisë, caktuan një drejtim të ri të zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri. Ka lindur dhe ekziston Shqipëria e re e demokracisë se re, më e avancuar se e djeshmja, pasi ka nxjerrë në qendër individin e lirë, njerëzit e lirë,  të lidhur në vetëdijën e solidaritetit dhe forcës së bashkimit kundër çdo gjëje që është antidemokratike.

Kur Partia Demoktratike vendosi të marrë anën e protestave, e dinim se dikush apo disa, pengje të kulturës së vjetër politike,  do të nxitonin të na etiketonin si antiamerikanë, populistë, demagogë, etj.

Për shkak të historisë që kemi si forcë politike proamerikane, vendimi ynë do të proklamohej nga këta njerëz të paditur edhe si tradhëti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kemi qenë të qetë e të kthjellët në vendimin që morëm, të bindur se vlerat për të  cilat kishin nisur protestat, trasparenca, konsultimi dhe llogaridhënia; janë vlera të  një demokracie të rrënjosur e të përparuar, se nuk mund të ketë antiamerikanizëm me vlerat mbi të cilat është ngritur dhe ekziston ngrehina madhështore e demokarcisë amerikane.

Se të  jesh sot proeuropian dhe proamerikan në Shqipëri do të thotë piksëpari të  luftosh për ato standarte që  konsolidojnë demokracinë, për rrjedhim mirëqenien dhe dinjitetin e personit. Se nuk ka e nuk mund të ketë proamerikanë dhe proeuropianë më  të spikatur se vetë qytetarët e lirë shqiptarë dhe në veçanti të rinjtë shqiptarë; atyre u duhet kjo, juve ju duhet kjo para politikanëve dhe me shumë se politikanëve.

Po flasim këtu për konstituimin e një elementi, mund të themi mungues të demokracisë se re shqiptare përgjatë këtyrë dy dekadave, që është pjesëmarrja politike, element bazë i mirëfunksionimit të shtetit demokratik. Qëllimi i pjesëmarrjes qytetare është të promovojë transparencën, të inkurajojë qeverisjen e mirë dhe të nxisë llogaridhënien. Kjo është një sfidë e madhe politike dhe kulturore që përcakton cilësinë e vërtetë të një demokracie.

Duke shfaqur këtu mendimet e mia për thelbin e protestave dhe duke dashur të ndaj me ju dhe me gjithë  përfaqësuesit e brezin e ri të Shqipërisë frymëzimet e reja të këtij zhvillimi të ri jam i vetedijshëm se kemi sëbashku një detyrim; të mos lejojmë që kjo frymë e re, kjo valë e re jetëdhënëse e demokaracisë sonë të molepset me frymën e vjetër, që nervi i saj të mpihet e të ngordhë në ingranazhet e kulturës dhe zakoneve të vjetra politike.


Duhet ta ruajmë  të pastër, të gjallë, të fuqishme si një vlerë të së ardhmes. Ta ruajmë jo si një relike muzeu,  as në shtatë kyçe si të bukurën e dheut, por duke e mbajtur në  fushën e hapur të veprimtarisë  së përditdshme politike dhe shoqërore, duke e hedhur në betejat e tjera të mëdha, sekush nga pozitat e veta, opozita si opozitë, shoqëria civile si shoqëri civile, studentët si student, të gjithë për një qëllim, kundër arbitraritetit, që vazhdon të kërcënojë e do të vazhdojë të kërcënojë  në forma të ndryshme demokracinë në Shqipëri.

Arbitrariteti politik, siç mund ta keni konstatuar edhe vetë,  synon të  zhbëjë e përmbysë disa prej standarteve konsensusale në fushën e legjislacionit nepërmjet krijimit të kuorumeve politike që nuk kanë dalë nga vota e lirë  e juaja dhe e qytetarëve shqiptarë, por janë produkt i shitblerjes dhe pazareve në kulisa me mandate deputetësh.

Shitblerja e votës dhe dhunimi i zgjedhjeve me paratë e pista të trafiqeve, korrupsionit dhe krimit të organizuar, legalizimi i dhunshëm i mediokritetit, paditurisë, injorancës, diplomave të blera dhe deri edhe i krimit në  organet përfaqësuese dhe në drejtimin e shëbimeve publike; të gjitha këto janë gangrena që gërryejnë e kalbin themelet e çdo demoktracie si dhe demokracisë në Shqipëri, janë burimi kryesor i të keqes në vendin tonë, janë thirrja e betejave të reja për ne të gjithë.

Mbyllja njeherë e përgjithmonë e kapitullit të zgjedhjeve të blera e të manipuluara, ngritja në këmbë njeherë e përgjithmonë e tempullit zgjedhjeve të lira e të ndershme sipas standarteve më të përparuara europiane është kushti i kushteve për të bërë që të triumfojë vala e demokracisë së  re që doli në pah e në sheshe në protestat e nëntorit.

Personalisht kam qenë jo pak shpresëvrarë nga shitblerja e votës si fenomen, që u zbatua me sistem edhe në  zgjedhjet e pjeshme lokale në Korçë disa ditë para se të shpërthenin protestat e nëntorit;  jam ndier i lënduar si të gjithë ju besoj duke parë disa të rinj e te reja që paguheshin me 20 mijë lekë të vjetra për votën e hedhur. Por në këtë moment të zymtë për demokracinë, doli fuqishëm në skenë  rinia ndryshe, rinia e së ardhmes, rinia e protestave të nëntorit dhe historia ndryshoi. Shqipërisë i ndriti sërish fati pas 23 vitsh me rininë e saj të mrekullueshme.

Sot jemi plot me shpresë e besim se bashkë më këtë rini, bashkë  me ju do t’ja dalim të çlirojmë qeverisjen e çdo niveli nga arbitrariteti, të çlirojmë  ligjin nga paligjshmeria, të çlirojmë zgjedhjet nga shitblerja e votës, të çlirojmë demokracinë  nga tentakulat e mafies politike dhe ekonomike që synon ta marrë peng atë.

As krimi, as mafia, as paratë e pista, as dhuna, as korrupsioni politik asgjë nuk kanë të ardhme përballë  forcës së rinisë, përballë  dhe ëndrrës së njerëzve të lirë për një  Shqipëri të lirë, të zhvilluar, demokratike, euriopiane.

Nga ana ime dua t’ju garantoj ju dhe mbarë të rinjtë shqiptarë, se Partia Demokratike që drejtoj dhe opozita në tërësi do të jetë e përpiktë në detyrimet e saj në këto beteja të reja.  Kush deshiron të bëhët pjesë e Partisë Demoktratike, e kësaj force politike në kuadrin e hapjes së fuqishme që do të nisim këto ditë, është  i mirëpritur dhe shumë i respektuar prej nesh. Kush mendon t’i përmbushë si i pavarur apo në formacione të  tjera politike këto angazhime qytetare është  gjithashtu shumë i respektuar prej nesh. E rëndesishme është të fitojmë të gjithë së  bashku për Shqipërinë demokratike.