Deklarata e plotë e deputetit të PD, Oerd Bylykbashi: Vetëm në dy javët e fundit, të dhënat tregojnë se rreth 2500 nëpunës kanë humbur vendin e punës, apo janë nxjerrë në listë pritje. Shumë prej tyre janë kërcënuar apo janë detyruar të japin dorëheqje. Njoftimet për largime vijnë çdo ditë. Pak dite më parë, Presidenti i Republikës vuri veton ndaj Aktit Normativ për Nëpunësin Civil sepse shkel Kushtetutën e Republikës. Komisioneri për Zgjerim i BE, z. Stefan Fule, kërkoi dje në Tiranë zbatimin e plotë të reformës së Shërbimit Civil, pra kërkoi zbatimin e ligjit të ri të Nëpunësit Civil. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve për anti-kushtetutshmërinë e veprimeve te saj, qeveria Rama-Meta i sfidoi ato me arrogance dhe po vazhdon me nxitim spastrimin e administratës publike dhe zëvendësimin në kundërshtim edhe me ligjin e vjetër të nëpunësit civil, veçanërisht nenet 23, 24 dhe 25 të tij. E gjithë kjo shkelje masive e ligjit, jo vetëm është një dhunim i shtetit të së drejtës dhe të drejtave individuale, por është edhe një dem ekonomik gjigand. Te gjithë këta mijëra nëpunës do të paguhen nga shteti për demin që u është shkaktuar nga kjo paligjshmëri masive. Shqiptarët do të paguajnë me taksat e tyre dy administrata, atë militante socialiste dhe atë që gjykatat do urdhërojnë të zhdëmtohet për shkarkimin e paligjshëm. Paralajmërojmë Drejtoreshën e sapo emëruar të Departamentit te Administratës Publike por edhe Sekretarët e Përgjithshëm të institucioneve se militantizmi dhe zelli politik nuk i çliron ata nga detyrimi për zbatimin e ligjit. Kjo drejtoreshë ka detyrë të kthejë mbrapsht si të paligjshme, të gjitha lirimet apo veprimet e tjera në dem të nëpunësve civile. Në të kundërt, Drejtoresha e DAP dhe çdo person tjetër përgjegjës, shkelin ligjin dhe do të përgjigjen penalisht për shpërdorim të detyrës dhe dëmin ekonomik që shkakton ky shpërdorim. Partia Demokratike do të jetë në krah të profesionistëve të administratës dhe në mbrojtje të ligjit, si dhe do të ndjekë rrugën institucionale për të vënë shkelësit para përgjegjësisë që u takon të mbajnë.