Prononcimi i deputetit të PD-së Eduard Halimi përpara Kryesisë së Kuvendit, pas dorëzimit të Kërkesës për Referendum për ardhjen ose jo të armëve kimike nga Siria. Paraqitëm kërkesën për Referendum Kushtetues në lidhje me ardhjen në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Për një çështje kaq themelore siç është jeta e qytetarëve shqiptarë, do të jenë vetëm ata që do të vendosin, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, i atyre që kanë sot të drejtë vote dhe në emër të tyre, të gjithë fëmijëve të porsalindur dhe atyre që do të lindin. Është momenti që qeveria të dëgjojë zërin e qytetarëve. Do të jetë demokracia e drejtpërdrejt, që do të ushtrohet në mënyrë të menjëhershme. Bashkë me këtë kërkesë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi edhe një kërkesë tjetër për mocion dhe debat lidhur me mashtrimin publik që kryeministri po i bën qytetarëve shqiptarë se nga ky operacion do të dalkemi të fituar, nga ky operacion do të dalkemi më të pastër dhe do të ndikemi krenarë, duke i futur në panik më shumë se kurrë. Duke mashtruar publikisht qytetarët shqiptarë, se ky qenka detyrim i NATO-s, ndërkohë që mediat ndërkombëtare dhe vetë NATO po përgënjeshtrojnë çdo minutë këtë kryeministër që po fut në panik një komb të tërë.
Dhe nëpërmjet kësaj kërkese i kemi kërkuar Parlamentit, që të ngrihet në mënyrë të menjëhershme dhe të miratojë një Rezolutë duke i kërkuar qeverisë që të mos marrë as edhe një vendim të vetëm, derisa populli Sovran të shprehet në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejt, për lejimin ose jo të ardhjes së armëve kimike të Sirisë në Shqipëri.