Fjala e plotë e aktivistit Altin Goxhaj:

Fjala e plotë e aktivistit Altin Goxhaj: Përshëndetje Unë jam Altin Goxhaj, kam 23 vjet qe protestoj në këtë bulevard dhe në shumë sheshe të Tiranës kundër të gjithë kryeministrave dhe kryebashkiakëve të Tiranës! Por vetëm 200 metra pranë këtij sheshi, 23 vjet më parë, në 8 Dhjetor 1990, unë bashkë me shokun tim të klasës Azem Hajdari dhe 800 studentë të tjerë, protestuam, u përballëm dhe u përleshën me policët e Ramiz Alisë dhe Spiro Kolekës për të drejtën e votës si e drejta themelore e njeriut dhe baza e një shteti demokratik! Dhe ne e fituam atë të drejtë nën sloganin E DUAM SHQIPËRINË SI E GJITHË EUROPA! Por e drejta e votës është themeli I kontratës së qytetarit me shtetin dhe jo e klientit me tregtarin! Sot 23 vjet më pas shoqëria civile që ka 22 vjet që monitoron zgjedhjet në Shqipëri, asnjëherë nuk është skandalizuar kaq shumë mbi rënien kaq poshtë të standardit dhe të vlerës së themelit të demokracisë! Asnjëherë vota dhe votuesi nuk janë zhvlerësuar kaq shumë sa sot! Asnjëherë dinjiteti I studentit nuk është zhvlerësuar kaq shumë nga pushteti! Ditën që shteti kthehet zyrtarisht në tregtar dhe qytetari kthehet në konsumator, atë ditë demokracia bie! Ditën që zyra e Partisë blen votën dhe votuesi merr 2 mijë lekë, shteti kthehet në një dyqan! Ditën që shteti blen votën, vota kthehet në mall, dhe malli që shitet nuk kthehet! Aty mbaron kontrata e blerësit me shitësin! Dhe aty përfundon kontrata e qytetarit me pushtetarin! Atë ditë qytetari humbet cdo të drejtë sepse kontrata përfundon dhe pushtetari nuk ka më asnjë arsye ti përgjigjet qytetarit! Studentët që pamë më zë dhe figurë janë lindur të gjithë pas 8 dhjetorit 1990! Janë brezi I demokracisë! Ata synoi pushteti, si mesazh për 20 vjetët që vijnë! Dhe mesazhi që morëm është I qartë! Shteti bie! Pushteti ngrihet! Qytetari dhe Demokracia bie! Diktatura dhe Arbitrariteti ngrihet! Të nderuar qytetarë! Kryeministri sot po bën llogaritë se sa 2 mijë lekësha I duhen për zgjedhjet e 2015, të 2017, 2019, 2021! Nëse Ju që jeni këtu sot do të ikni dhe do ta leni me kaq, nëse ata miliona që na shohin sot në tv apo në Facebook dhe do ta lejnë me kaq, pyetja është se ccfarë vlere do të kenë zgjedhjet në 2015, 2017, 2019 apo në 2021! Keshtu kthehemi 23 vjet më parë, kur vota e qytetarit nuk kishte vlerë. Ndaj dhe apeli im për ju si përfaqësues I shoqërisë civile është ndëshkoni krimin elektoral sot që të na kthehet demokracia Kjo është edhe arsyeja pse Shoqëria Civile e konsideron blerjen e votës si alarmin më të madh për rënien e demokracisë dhe nevojën urgjente për reagim dhe ndëshkim! Ndaj qytetarë dhe demokratë jemi sot bashkë për të mos lejuar mosndëshkimin e krimit elektoral sepse këtu varet fati I qytetarit, fati I demokracisë, fati i Shqipërisë! Ndaj qytetarë dhe demokratë mos ndaloni! Ndëshkoni krimin elektoral që të na ktheni të drejtën e votës!