Deklarata e plotë e kreut të Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka:

Deklarata e plotë e kreut të Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka: Në mbledhjen që sapo zhvilluam si Grup Parlamentar, ne diskutuam më shumë se 2 orë, lidhur me fenomenin e rëndë i cili u faktua, pra e theksoj që vetëm u faktua me zë e figurë dje në një emision televiziv “Fiks Fare”, pasi dihej që ishte një fenomen i njohur për të gjithë ne dhe i denoncuar nga ne. E kemi denoncuar këtë fenomen që nga 23 Qershori, e kemi denoncuar blerjen e votave në të gjithë Shqipërinë, nga dy aleatët që sot drejtojnë e kanë pushtetin në dorë, Rama dhe Meta. Dje, siç të gjithë e ndoqëm, morëm konfirmimin se kemi të bëjmë jo me një rast të veçantë por me një sistem të ngritur e të përgatitur nga këto dy figura me qëllimin që vota e lirë e shqiptarëve të mos jetë më e lirë, që demokracia të mos jetë më demokraci, që parlamentarizmi të mos jetë më parlamentarizëm. Prandaj ne si hap të parë kemi vendosur ngritjen e një komisioni hetimor në Parlament dhe sigurisht ky do të jetë vetëm hapi i parë pasi një ngjarje kaq të rëndë ne nuk mund ta lëmë as në heshtje dhe as në harresë. Bëhet fjalë për vetë themelet e demokracisë, për vetë themelet e pluralizmit në Shqipëri.