Fjala e plotë në Kuvend e deputetit të PD Oerd Bylykbashit

Fjala e plotë në Kuvend e deputetit të PD Oerd Bylykbashit Të nderuar kolegë 1. Katër vjet më parë, Kryeministri Berisha, përkundër shumë kundërshtive dhe skepticizmit, çoi përpara një reformë të fortë të sistemit të transportit të zyrtarëve, duke filluar nga nivelet e larta të administratës deri në bazë. Ishte kjo një reformë që i jepte fund një abuzimi gjigand me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga zyrtarët e çdo niveli. 2. Qindra e qindra automjete që përdoreshin si pronë vetjake nga këta zyrtarë dhe të gjitha shpenzimet e mirëmbajtjes dhe për karburant, bashkë me praktikat e korruptuara që i shoqëronin, u zhduken. Rreth 30 milionë Euro në vit iu kursyen shqiptarëve për tu përdorur për shkolla, qendra shëndetësore apo infrastrukturë. Sigurisht abuzimi nuk u zhduk tërësisht. Sigurisht, vend për përmirësim ka. Po ky projektligj do të sjellë rritje të shpenzimeve për transport dhe jo kursim. 3. Por çfarë na sjell sot Kryeministri Rama? Një paçavure! Dhe përpiqet të na e shesë si gjë të madhe. E vetmja gjë e drejtë është se duke kërkuar të thellojë reformën, konfirmon drejtësinë e reformës që Kryeministri Berisha bëri katër vjet të shkuara. Çdo gjë tjetër që parashikon ky projektligj është një parodi qesharake. Së pari qeveria gënjen kur thotë se kursen 1,6 milion USD. As 1,3 milion nuk kursen në vit. Sepse kurrë nuk i shpenzoi paratë për sistemin gjyqësor meqë Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi atë pjesë të reformës. Po Kryeministri e di që mazhoranca e tij do i vejë vulën e thatë kësaj paçavureje, si një noter i bindur. 6. Ky Kryeministër ka arrogancën që me një dorë fundos financat, merr qindra milion Euro për shpenzime për Kryeministrinë dhe ministritë për zyra luksoze, blerje makinash dhe udhëtime edhe me bashkëshortet siç e sanksionoi në Kodin Etik, dhe nga ana tjetër, po me arrogancë, i gënjen shqiptarët duke i parë në kokërr të syrit. Nëse nuk binden, ditën e Dielë, ne drekë, Sajmiri ua kujton me tritol se kush është Kryeministri. 7. Po gjithë diskutimi sot për kursime ka vlerë zero. Sot duhet të flasim për shpenzimet që po bën dyshja Rama-Meta. Askush nga ne nuk duhet të habitet që buxheti i ardhshëm të ketë edhe zërin “korrupsion politik” apo “shpenzim për blerje votash”. 8. Ditën e diel, më 3 nëntor, Korça votoi për kryetarin e ri që do zëvendësonte kryetarin Peleshi. Ishte tronditëse sesi kudo flitej për shit-blerjen e votave me një ndjenjë dorëzimi dhe si për një fakt tashmë të zakonshëm. Vetëm një ditë më pas, të gjithë shqiptarët panë përsëri me zë dhe figurë, bllokun e zi të korrupsionit politik dhe zgjedhor. 9. Deri në 2005 përfliteshin disa kandidatë famëkeq. Në 2007 dhe 2011 disa kryetarë bashkish dhe komunash e përdorën më gjerë.Të gjithë flasin që pas 23 qershorit se si është blerë vota e zgjedhësve të komuniteteve vulnerabël apo në zonat e varfra të qytetetve dhe të fshtrave. Flasin në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, kudo. 10. Tashmë ka edhe një bursë të votës, teknika të blerjes, orare më të përshtatëshme për të dalë në pazarin e votave. Ky normalitet, ky sekret që nuk ka njeri që nuk e di dhe nuk e bisedon nëpër bare, është sa i neveritëshme, aq dhe revoltues. Sekretin dinte edhe Fiks Fare. 11. Të dielën e shkuar, këtë sekret nuk e dinte vetëm policia e Kryeministrit. Sepse nuk bëri asgjë. E çfarë mund të presim nga një drejtor i përgjithshëm policie që kontributin më të shquar së fundmi e ka si numërues i parë për PS?! A e beson kush që kjo polici,që po kthehet në vegël politike presioni dhe terrori, do të filmonte, hetonte dhe arrestonte militantët e PS tek zyra e Rilindjes? 12. Dikur kemi parë Sajmir Tahirin me stilolaps me kamer për të filmuar votën e fshehtë. por tani PS është e sigurtë dhe arrogane, i bën shkeljet hapur se Sajmiri është Ministri i Policisë. Por askush nuk kishte parë deri më sot atë që panë të gjithë shqiptarët me zë dhe figurë. Partia Socialiste kishte ngritur një sistem preçiz, të detajuar të blerjes së votës ku qytetarë të Korçës hynin në radhë, thonin emrin, u verifikohej gishti nëse kishin votuar dhe u jepej 2000 lekëshi. 13. Një skemë e tillë nuk ngrihet për disa dhjetëra vota, por qindra dhe mijëra vota. Ajo ishte e përhapur në të gjithë Korçën. Ky nuk është thjesht një turp! Ky është krim! Ishte aq i dukshëm ky krim sa prokuroria e nisi vetë çështjen. 14. Ne presim të shohim fajtorët pas hekurave, jo vetëm ato çupat ekzekutore që mbanin bllokun, kontrollonin bojën mbi gisht dhe jepnin 2000 lekeshin. Por edhe organizatorët e kësaj skeme kriminale. Kryeministri ishte në Korçë dhe është në dijeni të kësaj skeme që i heq dinjitetin zgjedhësit dhe shfaros llogaridhënien e politikanit. Me siguri e di edhe aleati i tij më i ngushtë. Ai e njeh shumë mirë skemën se me të çuditi dynjanë më 23 qershor. 15. Neni 1 dhe neni 45 i Kushtetutës sanksionojnë që pushteti del nga vota e barabarta, vetjake, sekrete dhe mbi të gjitha e lirë. Pa lirinë e votës asgjë nga garancitë e tjera nuk vlen. Blerja e votës, nën presionin qeveritar, presionin policor, kërcënimin për largim nga puna masivisht, duke shfrytëzuar kushtet e vështira ekonomike është shumëfish kriminale. 16. Asnjë reformë zgjedhore, asnjë Kod Zgjedhor me 200 nene si i yni nuk na garantojnë dot zgjedhje të lira e të ndershme nëse kjo murtajë nuk ndalet sot. 17. Prokuroria duhet t’i shkojë deri në fund dhe jo të konfirmojë versionin e PS se na qenka paguar bileta e furgonit. Duhet të shkojë tek organizatorët, dhe burimet e financimit. Ky skandal duhet pastruar në rrënjë që të bëhet mësim. 18. Prokuroria duhet të bëjë me dije se çështë bërë deri më sot me hetimin për kallëzimin e KqZ për vjedhjen skandaloze të votave në Lezhë. As ai krim zgjedhor nuk mund të harrohet. 19. Mandati që kërkon kandidati i PS është leckë e njollosur. KQZ duhet ta anullojë procesin dhe ta rivejë në binarë që së paku t’i kthehet legjitimiteti zgjedhjeve në Korçë, se filmimin e Fiksit nuk ka gjë që e shlyen më. 20. Vjet, së bashku me konsensus, forcuam dënimet penale për krimet zgjedhore. Opozita e djeshme kërkoi me forcë të dënoheshin mësuesit pse nxjerrin fëmijët në mitingje. Po kjo as që krahasohet me blerjen e votës. 21. Ka persona në këtë sallë, edhe lart pas meje, që fërkojnë duart e përqeshin këtë argument sot, sepse janë mjeshtrat e këtyre skemave. Por ne kërkojmë që parimet kushtetuese, rregullat e Kodit Zgjedhor dhe dënimet penale të jenë garanci reale për votën e lirë dhe jo copa letre që vlejnë më pak se 2000 lekëshi. 22. Ne do i kërkojmë parlamentit të ngrejë një komision hetimor dhe ta hetojë këtë fenomen për t’i zënë rrugën kësaj duhme të keqe. E dimë që ka disa prej jush që bashkoheni me ne në këtë protestë. Ju ftojmë t’i bashkoheni me vullnet të mirë dhe mirwbesim. Kjo ftesë nuk është për Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit. Ata të dy duhet të përgjigjen për këtë skemë kriminale.