Fjala e deputetit të Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi në Kuvend:

I nderuar Kryetar

Rreth një muaj më parë, në një media sociale citova Martin-Niemöller të cilin po e ricitoj sot këtu në parlament, ku ndoshta ka më shumë vlerë. Në vitin e largët 1946, ai tha:

Në fillim nazistët erdhën dhe morën socialistët
Po une nuk thashë gjë, sepse nuk isha socialist.

Më pas ata erdhën e morën sinikalistët,
Përsëri nuk thashë gjë sepse nuk isha sindikalist.

Më vonë, ata erdhën dhe morën çifutët,
përsëri nuk thashë gjë se nuk isha çifut.

Në fund, erdhën e më morën mua,
Por nuk kishte mbetur më asnjë të fliste për mua!

Kemi një muaj e gjysëm që kur qeveria dykokëshe u instalua në Tiranë. Që atëherë kemi parë vetëm:
-dhunë verbale mbi opozitën, por të cilës i duhet ende të presë e të shohë çështë dhuna. Sepse kështu tha Edi Rama Kryeministër.
-Kemi parë akte normative që zhbëjnë konsensusin politik, shkallmojnë administratën dhe rroposin arkën e shtetit.
-Kemi parë Sulme ndaj institucioneve të pavarura.
-Kemi parë policinë që i është turrur pronave të shqiptarëve, bizneseve të tyre, dhe së fundmi, edhe të drejtave të tyre të mohuara nga komunizmi, rikthimit të pronave, siç pamë me selinë e Gjinushit.
-Kemi parë zhbërje të vendimeve të ligjëshme të qeverisë  paraardhëse, prishje kontratash, anullim koncensionesh, anullim te drejtash pronësore për inate personale dhe banale të Kryeministrit,
-Kemi parë buldozerë që rrafshojnë ndërtesa me leje dhe pa leje dhe së fundmi, po shohim spektaklin televiziv të tritolit. Premtoi legalizimet falas. por nuk tha se do ta bënte me tritol. në fakt tritolin e keni falas se e paguan Kryeministri. Ministrja e territorit konfirmoi: do prishen edhe ndërtimet me leje. Kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës me synim frikësimin. Të frikësuarit qeverisen më lehtë.

Sa përmenda nuk kanë të bëjnë me qeverisjen demokratike, por janë hapa të vendosur për instalimin e një shteti policor ku kryefjalë është bastisja e bizneseve pa mandat nga gjykata dhe tritoli ndaj ndërtesave. E gjitha kjo në emër të interesit të popullit dhe të emergjencës. I gjithë aparati represiv i shtetit është sot në veprim.

Dhe qytetarët që kanë ndërgjegje civile sot janë të frikësuar. Frigohen për pronën e tyre, për biznesin ku kanë shkrirë vite mund dhe paratë, frigohen për të drejtat e fituara të cilat kanë humbur garancitë kushtetuese. Sepse inspektorët dhe policët e Kryeministrit ta behin papandehur tek dera ne emër të popullit.

Nuk ka rëndësi liçenca që ke, tapia apo vendimi i gjykatës që të kthen pronën. Rëndësi ka ç’mendon Kryeministri se është e drejtë. Më pas vjen Ministri i tij i Policise, Sajmir Fusheja dhe ta shpjegon me tritol procedurën. Ende nuk kemi parë gjë, se së shpejti në shkelje të Kushtetutës Kryeministri do krijojë Byronë Kombëtare të Hetimit. Atëherë do ta marrin vesh shqiptarët! Do u përgjohen telefonat, korespondenca, çdo gjë pa ligj e mandat.

Në një muaj e gjysëm, Edi Rama vetëm po hap me matrapik gropa në kollonat e shtetit të së drejtës dhe po vendos qindra kilogramët e tritolit antikushtetues. Shumë shpejt do të shtypë butonin e plasjes. Atë ditë tavani do bjerë edhe mbi kokat tuaja, zotërinj deputetë të mazhorancës.

Opozita është kundër paligjshmërisë, krimit dhe korrupsionit. Lufta ndaj tyre ka mbështetjen e plotë të opozitës. Por paligjshmëria nuk luftohet duke shkelur ligjin dhe të drejtat e individëve.  Nuk luftohet me tritol. Vetëm shteti i të drejtës na ndihmon ti luftojmë, po aq sa na mbron të gjithëve nga arbitrariteti i qeverisë.

Kam ndjekur këto ditë çështjen Gjika. Nuk kam asnjë keqardhje për të as si politikan, as si bashkiak. Nuk është se u zbuluan sot paligjshmëritë e tij. rama i dinte prej kohësh. Po ai ka shumë më pak zullume se Rama kryebashkiak. Sa e sa Gjika të tjerë drejtojnë bashkitë e majta? Po drejtësinë po e bën Rama, jo organet e drejtësisë. Prandaj Gjika nuk ka shpresë. Të tjerët duhet të rrinë urtë.

Por ajo që të drithëron, është cinizmi i sëmurë i Kryeministrit kur thotë se e ka Gjikën mik. Me sa duket shpejt do përdorim një mallkim të ri: të pastë Rama mik! Se pastaj, fundi kuptohet.

Në mbyllje, uroj që opinioni publik po ndërgjegjësohet për këtë fenomen të frikshëm antishtet që përfaqson ky Kryeministër. Së bashku, edhe me ju deputetë të mazhorancës, duhet ti tregojme kufirin e Kushtetutës, të ligjit dhe të shtetit të së drejtës. Siç e tha Martin-Niemoeller, duhet reguar herët. Përndryshe secilin prej jush Kryeministri do ta shpallë mik. Atëherë do jetë shumë vonë.

Por ju sigurojmë se kur të vijë Ministri Fushe i policisë e t’ju marrë, do të ketë mbetur vetëm opozita për t’ju kujtuar:

Jua patëm thënë!