14 Nëntor 2013 Fjala e plotë e kreut të PD-së z Lulzim Basha në seli pas mbledhjes së Grupit Parlamentar: Në këtë orë të mbrëmjes, mijëra qytetarë shqiptarë gjenden akoma në rrugët dhe sheshet e qyteteve tona, të kryeqytetit, duke kërkuar një të drejtë themelore që u përket atyre, na përket neve dhe askujt tjetër. Sigurim për jetën, sigurim për shëndetin e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre. Në këtë orë ankthi të tejskajshëm, të shkaktuar kryekëput nga sjellja e papërgjegjshme e Edi Ramës, ky i fundit është zhdukur pa lënë gjurmë dhe nuk jep përgjigje për atë çka populli kërkon, një deklarim të prerë kundër sjelljes dhe asgjësimit të armëve kimike në territorin e vendit.  Është zhdukur pa gjurmë sot me pretendimin e vizitave të cilat duket se nuk janë realizuar duke treguar një papërgjegjshmëri të madhe para qytetarëve të cilët pa dallim politik, pa dallim bindjesh politike siç është fare evidente, po protestojnë dhe po kërkojnë transparencë. Aventurizmi, sensi i papërgjegjshmërisë e ka karakterizuar që nga fillimi këtë çështje dhe duket se e ka detyruar kryeministrin tonë të zbarkojë në një zik-zak-e gënjeshtrash nga njëra anë ndaj qytetarëve shqiptarë, dhe nga ana tjetër ndaj aleatëve. Dhe duket se edhe në këto momente ka vendosur ta zgjidhë dilemën të gënjejë aleatët apo të gënjejë qytetarët, jo duke i dhënë fund kësaj por duke vazhduar t’i gënjejë të dyja palët. I bëj thirrjes sot në emër të opozitës t’i japë fund kësaj maskarade. Të dalë para qytetarëve shqiptarë dhe të bëjë transparencën e vërtetë, të deklarohet haptazi dhe prerazi pro interesit publik, kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri. Shqiptarët nuk kanë pse të kalojnë asnjë orë të vetme në ankth dhe aq më shumë një natë të tërë apo net të tëra. Opozita mbështet fuqishëm protestën qytetare. Opozita ka qenë dhe do të jetë e pranishme si qytetarët, pranë qytetarëve shqiptarë. Ne kemi një kërkesë të vetme; të respektohet integriteti fizik i çdo qytetari shqiptar. Të mos merren vendime që rrezikojnë shëndetin publik dhe sigurinë e tyre. Ti thuhet jo ardhjes së armëve kimike në Shqipëri. Nuk kemi asnjë çështje tjetër më të rëndësishme se kjo. Protesta jonë është protestë tërësisht në mbështetje të qytetarëve shqiptarë dhe do të vazhdojmë ti mbështesim derisa të marrim përgjigjen e merituar. Ndërkohë ne kemi hedhur të gjitha hapat institucionalë të cilat do ti vazhdojmë t’i ndjekim edhe në ditët e ardhshme. Uroj dhe shpresoj që ky apel, i kësaj ore të vonë, të mos bjerë sërish në vesh të shurdhët. Uroj dhe shpresoj që mbrëmjen e sotme miliona shqiptarë të mos vazhdojnë ta kalojnë me ankthin që i ka përpirë nga dita në ditë, nga nata në natë. I bëj thirrje Edi Ramës t’i japë fund heshtjes, t’i japë fund gënjeshtrave dhe mashtrimeve dhe të mbajë një qëndrim të prerë. Të mbajë një qëndrim të prerë pro interesit publik shqiptar, kundër armëve kimike dhe të ndalë gënjeshtrën e dyfishtë, të ndalë strucin që po bën edhe sot e kësaj dite, edhe në këtë orë, si ndaj qytetarëve shqiptarë edhe ndaj aleatëve tanë strategjikë. Faleminderit!