Prononcimi i Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, mbrëmë për emisionin “FAKT”, lidhur me debatin për arsenalin kimik të Sirisë: Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha,  e ka cilësuar të papranueshme faktin, që qeveria nuk bën transparencë as për një çështje kaq të rëndësishme dhe të ndjeshme, për çdo qytetar shqiptar, si kjo që po përflitet tash gjashtë ditë në Tiranë, për trajtimin e arsenalit kimik të Sirisë. I ftuar mbrëmë në emisionin “Fakt” në UTV News, Kryetari i opozitës, e konsideroi papërgjegjshmëri heshtjen e kryeministrit Rama ndaj kësaj çështjeje dhe alibi në raport me ndonjë presion imagjinar nga SHBA, duke spekuluar me ndjesitë që shqiptarët kanë për këtë aleat të madh të kombit shqiptar. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha : Kam bindjen më të thellë si qytetar, si politikan, si ish-Ministër i Jashtëm, si person që kam pasur në detyrat e mia zyrtare marrëdhëniet më të ngushta me aleatët tanë, se qeveria amerikane, përfaqësuesit zyrtarë amerikanë, nuk mund dhe në asnjë rast nuk i kanë kërkuar Shqipërisë të marrë përsipër çështje të cilat bien ndesh me parimet ku ata besojnë apo, që cënojnë normat elementare që kanë të bëjnë me sigurinë, mirëqënien e qytetarëve, pasi i shikojnë këto si norma universale të botës e aq më shumë si norma universale të komunitetit euro-atlantik të cilit ne i takojmë. Për këtë arsye, demokracia më e madhe e botës projekton akoma sot fuqinë më të madhe të botës, jo vetëm sepse është fuqia më e armatosur në botë, (natyrisht, është) por sepse përtej arsenalit, ka një fuqi dhe një armë shumë më të madhe, që janë idealet e shenjta të lirisë, demokracisë, dinjitetit individual dhe respektit për individin dhe nuk pret nga aleatët e saj që këto çështje t’i konsiderojë si sekondare apo të dorës së dytë. Ndonëse ne jemi në një terr të plotë informativ, përgjegjësi tërësisht e Edi Ramës dhe e kësaj qeverie, në raport me çdo çështje që po diskutohet, është diskutuar apo mund të diskutohet me partnerët tanë amerikanë apo me aleancën e NATO-s apo me këdo tjetër, si pjesë e përgjegjësive tona për sigurinë dhe paqen në botë, unë jam i sigurt se kryeministri i vendit me këtë heshtje, më së shumti sugjeron një alibi në raport me ndonjë presion imagjinar nga SHBA, duke spekuluar me ndjesitë që shqiptarët kanë për këtë aleat të madh, falë së cilit, sot Kosova është e pavarur, falë së cilit, vendi është në NATO dhe falë së cilit, shqiptarët janë më të sigurtë se kurrë në rrugën e tyre drejt prosperitetit, mirëqënies e integrimit europian dhe euro-atlantik të vendit.
Ky është një spekulim edhe në heshtje, duke e lënë këtë pyetje pa përgjigje, duke lënë analistët proqeveritarë dhe anti-opozitarë të spekulojnë, se takimet apo kafetë e rastit apo jo, qënkan presion ndaj kësaj qeverie për të pranuar diçka që vetë amerikanët nuk do e pranonin apo që të tjerë anëtarë të Aleancës nuk do e pranonin.

Peka: Sipas jush, nuk ka asnjë presion amerikan për të detyruar Shqipërinë të bëjë këtë? Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha: E gjithë kjo është një farsë dhe në themel të kësaj farse qëndron, gatishmëria për të shkelur mbi këto parime, në kurriz të qytetarëve shqiptarë, edhe të mirëqënies së tyre, jo thjesht për servilosje, por për të fituar favore, të cilat pastaj mendojnë se mund ti inkasojnë në shkelje të njëpasnjëshme, që i bëjnë demokracisë dhe shtetit ligjor. Pra, të blejë me favore shkeljet që i bënë demokracisë dhe shtetit ligjor, për të cilin jam i bindur se aletatët tanë nuk do ti pranojnë kurrë.
Cila qeveri në botë, nga ato demokratike u detyroka të merrka masa të cilat konsensusi i gjerë shoqëror, përfaqësuar përmes instrumenteve të ndryshme, siç është p.sh Parlamenti në tërësinë e tij, apo komisione të caktuara parlamentare, Këshilli Kombëtar i Sigurisë apo vetë kuorumi i vendimmarrësve të këtij vendi që janë shqiptarët me të drejtën e tyre të votës, me referendum, të vendosin për këtë?! Kush e pretendon këtë? Në demokraci të tjera mbahen referendume për çështje shumë më pak të rëndësishme. Këta e propozuan për mbetjet e zakonshme. 
Një gjë është e sigurt! Ne, si Shqipëri kemi qenë gjithmonë gati dhe mendoj se duhet të vazhdojmë të jemi gati të marrim pjesën tonë të përgjegjësive të cilat natyrisht janë shtuar me anëtarësimin në NATO, për çdo çështje të rëndësishme të paqes dhe stabilitetit në botë, Europë e rajon dhe këtë duhet ta bëjmë pa asnjë farë kompleksi. Por është absurde, është e papërfytyrueshme, tallëse, ta trajtosh vendin tënd si kopsht zoologjik dhe të mos përfillësh pikë së pari normën elementare të demokracisë, transparencën, pa të cilën nuk mund të ketë llogaridhënie, pa të cilën nuk mund të ketë qeveri të përgjegjshme
Ndaj për këtë çështje i bëj të njëjtën thirrje, që i bëra prej afro pesë ditësh, sepse opozita nuk ka qenë e heshtur. Prej të enjtes së kaluar, thirrja ime ka qenë e qartë: Bëj transparencën e plotë para qytetarëve, lërë mashtrimin si rruga që mund të shpëtojë nga transparenca dhe nga vendimmarrja sepse ky shtet,  ka të gjitha kapacitet të marrë çdo vendim, i cili të mos bjerë ndesh me interesin publik, të mos bjerë ndesh me interesin e çdo qytetari shqiptar për siguri, mirëqënie, shëndet publik, dhe në të njëjtën kohë të realizojë ato detyrime në përputhje me kapacitetet tona. për çfarëdo çështje për të cilat ne mund të kërkohemi të japim kontributet tona.
Nuk ka asnjë problem që kjo të bëhet në mënyrë të plotë, të hapur, dhe në balancë midis këtyre të dyjave publik dhe përgjegjësive tona. Kjo prishet vetëm kur nuk ka transparencë dhe kur protagonist, në këtë rast Edi Rama, përpiqet që duke shkelmuar interesin publik,  të përfitojë ndonjë favor.
Presidenti Obama për ndërhyrjen në Siri, ndonëse nuk kishte nevojë, kërkoi mendimin e Kongresit. Ndersa këtu Edi Rama dhe aleati i tij Ilir Meta,tregojnë një papërgjegjshmëri të plotë, e cila buron nga fakti që këta mendojnë, se pavarësisht se çfarë bëjnë, pushtetin mund ta blejnë sa herë të duan.