Rrjeti nepotik i qeveritarëve po shtrihet çdo ditë e më shumë. Po ju japim sot disa fakte për fatin e lumtur të kunatave dhe familjareve të ministrave të Edi Ramës. Në doganën e Tiranës, është emëruar së fundmi Eranda Cuci, kunata e Ilir Beqës, Ministër i Shëndetësisë. Në doganën e Tiranës është emëruar Safo Dauti, kunata e Ilirian Celibashit, Ministër i Marrrdhënieve me Parlamentin. Në doganën e Tiranës është emëruar së fundmi Adriana Hila, motra e Dritan Hilës, zëvendësministër i Mbrojtjes. Pra drejtoria e doganave të Tiranës është bërë drejtoria e kunatave të Tiranës. Nuk presim që Rama e të tijtë të skuqen nga turpi, meqë kanë deklaruar publikisht se nuk ka nepotizëm në administratë, por po informojmë opinionin publik, për mënyrën e menaxhimit, për emërimet dhe për meritokracinë e kësaj qeveria. Njoftohen kunatat e tjera të qeverisë, të mos rrinë duarkryq, por të lëvizin se vendet po zihen.


Deklarata për media e koordinatores për media Silvi Bardhi, 12 Nëntor 2013