Deklaratë për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike Laura Vorpsi:

Dje, zoti Rama e pati të pamundur të maskonte gënjeshtrën dhe hipokrizinë  në pikëllimin e tij para trupit diplomatik për financat dhe arkën bosh të shtetit.

Salla e re dhe e kushtueshme, ndonëse e arreduar me look-un e vjetër të zyrës në Bashkinë e Tiranës para 10 vitesh nuk tregon aspak se Rama është i shqetësuar për financat publike. 
Paratë e shpenzuara për të rikonstruktuar dhe mobiluar zyrat e tij, tregojnë se Rama nuk është i shqetësuar për financat publike.

Paratë e shpenzuara nga Kryeministri dhe shpura e tij në udhëtime dhe hotelet me 4 mijë dollarë nata, tregojnë se Edi Rama nuk është aspak i shqetësuar për financat publike.
Përkundrazi, të gjitha këto tregojnë etjen e kryeministrit për luks, për shpenzime, për t’i trajtuar financat publike si honorare private.

Edi Rama nuk është i besueshëm kur shpall pikëllimin e tij për arkën e shtetit, përsa kohë nuk tregon se sa para janë shpenzuar për të rregulluar e mobiluar zyrën e tij. Sa para janë shpenzuar për të veshur me luks ambjentet kryeministrore. Sa para janë shpenzuar për udhëtime e qejfe qeveritare jashtë shtetit në këto ditë.

Megjithëse nuk ka kaluar ende një muaj nga marrja e detyrës, sinjalet dhe aktet e para janë tregues të qartë se financat janë të mjaftueshme për luksin e qeverisë, por qenkan të pamjaftueshme për popullin.

Përkundër trendit europian, për qeveri të vogël, për shpenzime të shkurtuara, dhe për kursim, Edi Rama dhe qeveria e tij po llamburisin cdo ditë në luks shpërdorues dhe jo-transparent. 
Qeverisë nuk i mungon asgjë, sepse i ka paratë për vete, ndërsa për popullin arka qenka bosh.

Por ne e dimë, dhe nuk ka asnjë cudi në këto sjellje të Edi Ramës. Ky është stili i tij despotik i luksit të shfrenuar që ka treguar në përvojat e mëparshme ekzekutive. Deklaratat për arkën bosh, janë thjesht justifikime. Kur këto justifikime nisin vetëm një muaj pas marrjes së detyrës kjo tregon se sa të mëdha kanë qënë mashtrimet elektorale për të ardhur në pushtet.