Deklarata për media e zëdhënëses së PD-së Laura Vorpsi:

Për qeverinë shqiptare, mesa duket çdo ditë është dita e gënjeshtrës. Së fundmi, drejtoresha e doganave deklaroi se në dy vitet e fundit, Drejtoria e Doganave nuk paska bërë asnjë kallëzim penal mbi rastet e shkeljes së ligjit. Drejtoresha e doganave gënjen, dhe janë faktet që e nxjerrin atë zbuluar.

Për vitin 2012 administrata doganore ka bërë 55 kallëzime penale. Për vitin 2013, 45 kallëzime penale. Pra në dy vitet e fundit, doganat kanë bërë 100 kallëzime penale, dhe kjo është e dokumentuar dhe lehtësisht e verifikueshme. Si mundet që 100 kallëzime penale, të shihen nga qeveria e re dhe drejtoresha e re si 0 kallëzime penale?

Për dy vitet e fundit, janë sekuestruar mijëra koli me cigare kontrabandë, janë sekuestruar kontenierë me naftë kontrabandë, dhe janë kapur shumë raste të tentativës për të kaluar mallra kontrabandë. Të gjitha, raste të referuara në prokurori. Për këtë arsye, drejtoria e doganave ka marrë vlerësime të vazhdueshme nga Bashkimi Europian, dhe nga organizmat ndërkombëtare dhe këto janë reflektuar në raportet e tyre.

Drejtoresha e doganave gënjen, pasi me sulmet ndaj administratës së mëparshme kërkon të fshehë emërimet politike që ka bërë e po bën në dogana, sic janë ato të caktimit të drejtuesve dhe zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në rrethe, si kryedoganierë, si në rastin e Durrësit, Rinasit, Shkodrës dhe Sarandës.