Ish zv-Ministri i Financave Alfred Rushaj e ka konsideruar deklaratën e qeverisë, se deficiti i të ardhurave në këtë vit do jetë mbi 39 mld lekë, si tentativë për të mbuluar në rastin më të mirë paaftësinë e saj në menaxhimin e të ardhurave. 

Zoti Rushaj e ka cilësuar absurde deklaratën e Ministrit të Financave, i cili parashikon rritje të deficitit të të ardhurave në muajt e fundit të vitit me rreth 24 miliardë lekë.

Në bashkëbisedimin me gazetarët zoti Rushaj theksoi se të ardhurat gjatë këtij viti kanë patur një ritëm më të ngadaltë, që lidhet me heqjen e disa taksave (heqja e tvsh-së për makineritë e pajisjet, heqja e tvsh-së edhe për materialet e ndërtimit në sektorin energjetik, rritja e pragut të taksimit mbi të ardhurat etj.), vendim i cili u ndërmor me qëllim ruajtjen e një trendi në rritje të investimeve private në ekonomi dhe për të nxitur konsumin familjar.

“Reduktimi i këtyre taksave ka sjellë uljen e të ardhurave në buxhet me rreth 18 mld lekë. Po kështu ndikim ka patur struktura e rritjes ekonomike, e cila vjen kryesisht nga dy sektorë, eksportet dhe bujqësia të cilat nuk gjenerojnë të ardhura fiskale. Të ardhurat në 8 muajt e parë të vitit, janë realizuar në masën 93% të parashikimit ose e thënë në shifra,16 mld lekë. Ky deficit të ardhurash kompensohet për periudhën 8 mujore me 7 mld lekë, kursim përfundimtar shpenzimesh, 5 mld nga interesat e borxhit dhe 2 mld nga fondi i veçantë. Vetëm 6 mld lekë është efekti 8 mujor i ekzekutimit të buxhetit. 
Nga informacionet paraprake, vetëm muaji shtator krijon një deficit prej 5 mld në buxhetin qëndror dhe pritet që në çdo muaj deri në fund të vitit të jetë i njëjti ritëm mosrealizimi. Deklarimi sot për rritje të deficitit me rreth 24 mld lekë në 4 muaj në rastin më të mirë është paaftësi dhe në rastin më të keq një mekanizëm për mundësi abuzimi me fondet publike, me taksat dhe doganat në favor të klientelës”, tha ai.

Këtë z. Rushaj e ilustron me vitin 2005 kur në një situatë të njejtë me sot, u bë rotacioni i pushtetit.

“Në vitin 2005 realizimi 8 mujor i të ardhurave nga qeveria socialiste ishte vetëm 88% dhe kishte një vonesë pagesash 21 ditore në thesar. Në tremujorin e fundit, të qeverisjes së PD-së, plani i të ardhurave u tejkalua me 28% dhe u eleminua menjëherë vonesa në pagesa, ndërsa deficiti vjetor u ul në 3.8% te PBB nga 4.5% e PBB i programuar”, theksoi ish – zv/Ministri i Financave.

Ndaj sipas zoti Rushaj, nëse ndodh thellimi i deficitit vjetor për shkak të mosrealizimit të të ardhurat, është përgjegjësi direkte e kësaj qeverie e cila duhet të përgjigjet për fondet publike.