Deklarata e plotë e deputetit të PD-së z. Ardian Turku:

Ditën e sotme, deputetët e PD-së në Komisionin e përhershme parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, në bazë të nenit 7 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, si dhe nenet 32 dhe 36 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kërkuan thirrjen në një seance dëgjimore publike me Ministrin e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, me qëllim informimin e anëtarëve të Komisionit mbi arsyet e miratimit të vendimit nr. 932/2013 të Këshillit të Ministrave, si dhe për vlerësimin e kryer nga pushteti ekzekutiv mbi përputhshmërinë e tij me parimin e ligjshmërisë”.

Ky akt i qeverisë që mban firmën e ministrit propozues dhe Kryeministrit Rama, autorizon Inspektoratin të rrafshojë në gjithë territorin e vendit, çdo ndërtim pa leje, por edhe të atyre që janë me leje ndërtimi që kanë përfunduar ndërtimin, që kanë marrë lejen e legalizimit, por sipas Kryeinspektorit janë të paligjshme.

Ky është një vendim jo vetëm antikushtetues dhe antiligjor, por edhe arbitrar duke u munduar që ruspën e arbitraritetit ta veshin me një akt nënligjor.

PD do kërkoje të dije mbi qëllimet e ministres për të rrafshuar pasuritë e ligjshme të shqiptarëve, për të rrafshuar djersen dhe gjakun e tyre, të drejtat kushtetuese të mbrojtura nga konventa e të drejtave të njeriut.

Ky vendim bie ndesh me të paktën 3 nene të Kushtetutës, me 20 vendime te GjEDNj në Strasburg, me të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese në vend.

PD ngelet e vendosur, jo vetëm për të bërë transparent çdo vendim arbitrar të kësaj qeverie të mbyllur në dhomën e kuqe, por edhe për të informuar qytetarët mbi këtë kërcenim antikushtetues që po i kanos Kryeministri Rama.

Ne mbetemi parti e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe do bëjmë gjithçka në Parlament për të mbrojtur liritë kushtetuese të qytetarëve por dhe të drejtat dhe pasuritë e tyre të ligjshme të ndërtuara me djersën dhe gjakun e tyre.