Fjala e deputetit të Partisë Demokratike Astrit Patozi në Kuvend:

Që pas pagëzimit të saj, këtu e 40 ditë të shkuara, kjo qeveri sot po bën punën e saj të parë. Të tjerat, deri më sot, kanë qenë deklarata dhe fotografi, shfaqje në televizor, me Saimirin dhe pa Saimirin, me tritol dhe pa tritol, me zhurmë dhe pa zhurmë, aq sa u duk se forma ishte qëllimi i vetëm i kësaj mazhorance me dy koka.

Mirëpo vjen një ditë dhe nuk mund të shmangësh thelbin. Një mazhorancë nuk mund ta fshehë dot veten pafundësisht, duke vënë në skenë cdo ditë nga një dramë apo komedi, për të hutuar publikun, sepse qeveritë votohen për të bërë ndonjë punë. Sado të flasin vetëm me leje apo të mos flasin fare ministrat e këtij kabineti, vjen koha kur fjalët nuk kanë më asnjë vlerë, vjen koha kur je i detyruar të veprosh.

Dhe ja ku erdhi çasti i shumëpritur. Ky akt normativ është puna e parë e kësaj qeverie. E përkthyer në gjuhë të kuptueshme për çdo qytetar të këtij vendi: Rama-Meta, megjithëse janë dy, do të mbledhin shumë më pak të ardhura, se Berisha i vetëm. Dhe sikur të mos mjaftojë, që do ta varfërojnë që në nisje arkën e shtetit, këta nuk do ta mbajnë fare dorën, por do të harxhojnë më shumë. Kjo është pra puna e parë e kësaj qeverie, nëse mund të quhet vërtet punë që të prishësh atë që gjen gati. Por më shumë se sa dëmin e konsiderueshëm, që do t’i shkaktojë financave publike, ky akt normativ vlen për të kuptuar tendencën e kësaj qeverie, që erdhi në pushtet në emër të “Rilindjes”.

Sepse ky ndryshim në buxhet nuk prek aspak zërin e shpenzimeve operative, por cënon rëndë investimet si dhe fondet e pushtetit lokal. Ju kujtohet, besoj, jo më larg se katër muaj më parë, se si qanin disa nga kolegët socialistë, atëherë në opozitë, për autonominë vendore në çdo shpalosje dhe ndryshim buxheti. Ishin të njëjtat zëra të fortë, që tundnin dynjanë atëherë për moskalimin e tavanit të borxhit, i cili sipas tyre do të sillte fundin e botës për Shqipërinë. Por kishte, gjithsesi , një ndryshim themelor mes dy kohëve. Atëherë borxhi kërkohej për investime publike, tani po merret për shpenzime qeveritare.

Sot me siguri që po të njëjtat personazhe, ose nuk do të ndihen fare, ose mund të shkojnë deri në paturpësi e mjerim, dhe ta mburrin këtë akt normativ. Dhe ky është ndoshta efekti u parë që u sjell atyre “Rilindja”.

Janë rreth 400 milion dollarë më pak në arkën e shtetit, janë rrugë dhe ujësjellës, që nuk do të ndërtohen, janë projekte të bashkive dhe të komunave, që do të hidhen në kosh, ndoshta një herë e përgjithmonë.

Por nga ana tjetër, asnjë ministri nuk do t’i prishet terezia, madje do të vijojnë fasadat dhe punimet e brendshme në çdo dikaster të kësaj qeverie, u thua se nuk dolëm nga një palë zgjedhje demokratike, por vijmë nga një luftë e përgjakshme dhe duhet të rindërtojmë gjithçka nga e para. Sigurisht, nën shembullin e kryeministrit, i cili e nisi punën në krye të vendit me restaurimin e zyrës, me foton sipër kokës, që e donte me mjekër dhe jo me mustaqe, dhe me bojën e mureve dhe të tavolinës. Nën këtë moto çdo anëtar i kabinetit dhe, natyrisht çdo besnik i tij poshtë, do të investojnë kudo nëpër Tiranë për triumfin e “Rilindjes”, në formën e llacit dhe suvave, kolltukëve dhe makinave, rafteve dhe abazhurëve, nëpër ministri dhe zyra të tjera të shtetit.

Dhe sikur të mos u mjaftonte, që qeverisë i shtuan edhe një kat, në raport me atë të Partisë Demokratike, sot na duhet të paguajmë edhe për transferimin e gati gjysmës së saj në godina të reja, dhe të gjitha këto duke futur dorën në arkën gjysmë bosh, nga ulja e planifikuar e mbledhjes së të ardhurave. Dhe pas kësaj, vështirë se mund të gjendet ndonjë shqiptar që të mos e mendojë se transferimi i zyrave nuk është nevojë administrative, por thjesht një mënyrë për të përligjur avullimin e milionave nga buxheti i shtetit. Ndaj edhe ka ardhur sot në parlament ky akt normativ, i cili më shumë se cdo gjë tjetër është në fakt radiografia më realiste e asaj që përfaqëson në të të vërtetë pushteti i Edi Ramës dhe i Ilir Metës.

Në skenarin më të mirë, kjo është një qeveri e paaftë, e cila jo vetëm që nuk ndjek ritmin e paraardhëses, por e pranon botërisht dhe që në start se nuk e bën dot vezën e saj. Në skenarin më të keq, që është më afër të së vërtetës, kjo është një qeveri që ka ardhur në pushtet vetëm me mendjen për të zhvatur. Unë mendoj se Rama-Meta është një ndërthyrje e të dyjave. Ndaj është edhe me e rëndë situata. Ndaj edhe kjo qeveri është rast i pashpresë. Ta harrojë ai që mund të shohë ëndërr se ajo mund të shkrepë ndonjëherë.

Kur Edi Rama emëroi dy zonjusha të reja në krye të tatimeve dhe doganave të Shqipërisë u hap një debat i madh, që përfshiu shumë aspekte, madje hyri, ndoshta pa të drejtë, deri në detaje të botës dhe natyrës femërore. Vetë Edi Rama u kujdes shumë që ta shpjegonte refuzimin publik ndaj tyre si një qasje maskiliste dhe primitive, ndërkohë që askush, e aq më pak opozita, nuk e trajtoi asnjëherë cështjen si problem gjinie.

Personalisht, do t’u uroja punë të mbarë atyre, si dinjitare të larta të administratës, por edhe si femra në karrierë , po të doni, sepse e di që ato mbajnë pozicione kyce, që ndikojnë jo pak në ekononominë e vendit. Por ky gjest nuk do të kishte asnjë kuptim, kur vetë kryeministri me këtë akt normativ na tregon se nuk i ka cuar aty për punë.

Përkundrazi, sot po kuptohet qartë se Edi Rama i ka dërguar atje që ato të mos kuptojnë asgjë se për cfarë janë emëruar. Ose, që edhe po e kuptuan, të mbyllin gojën dhe të heshtin. Sepse, megjithëse era e “rilindjes” po fryn e fortë nga të katër anët, ato ligjërisht kanë për detyrë të bëjnë më pak punë, se sa përfaqësuesit e “rrënimit”, që u larguan vetëm një muaj më parë.

Sigurisht, nuk përjashtohet mundësia që Edi Rama edhe mund t’i shkarkojë pas një viti dhe në vend të tyre të emërojë dy barkmëdhenj, jo domosdoshmërisht nga ata, që kullojnë yndyrë. Dhe të thotë pastaj se eksperimenti i parë nuk funksionoi. Por cfarëdo të bëjë Edi Rama nesër, asgjë nuk do mund ta justifikonte, as këtë akt normativ, as emërimin e atyre zonjushave, dhe mbi të gjitha, dështimin e sigurt të kësaj qeverie.

Sepse, sipas meje, asgjë nuk po ndodh rastësisht dhe thjesht nga paaftësia. Gjithcka është e kalkuluar deri në detaje, që ky vend të rrënohet ekomikisht dhe një grusht njerëzish me pushtet, jo domosdoshmërisht barkmëdhenj dhe që u shkëlqen faqja nga lyra, të pasurohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sot është një ditë e zezë për të gjithë që kanë besuar vërtet se rotacioni politik mund t’i japë një impuls të ri ekonomisë së vendit. Sot duhet të trishtohen realisht edhe ata qytetarë që e kanë votuar këtë mazhorancë më 23 qershor, sepse pritshmëria e tyre e kuptueshme merr një goditje të prerë dhe shterruese. E mbajmë mend të gjithë Edi Ramën në fushatë, madje edhe pasi u bë bashkëkryeministër, pasi për të fu
shata vazhdon ende, kur tregonte me gisht qeverinë e Partisë Demokratike, si shkaktare të rrënimit ekonomik të vendit.

E pra ky rrënimi ekonomik, sipas Edi Ramës gjithmonë, edhe në ditën e vet më të keqe, nuk e la Shqipërinë të bjerë në recesion. Sepse ditët e saj më të këqija ishin në fund të mandatit, atëherë kur pasojat e krizës globale u ndjenë të forta edhe në Shqipëri. Ndërsa kjo “Rilindja” e madhe, edhe në ditën e saj më të mirë, shkon poshtë e më poshtë, madje edhe se pika më e ulët e rrënimit. Sepse dihet tashmë që për cdo mazhorancë ditët e saj më të mira janë menjëherë, pasi vjen në pushtet.

Kjo pra është diferenca e madhe mes nesh, Mes atyre që qeverisën me përkushtim, me pasion dhe përgjegjësi, natyrisht edhe duke gabuar, dhe të tjerëve që kanë ardhur me lugë në brez për të vjedhur që në ditën e parë, që në aktin e parë, që në punën e parë.

Nëse bashkëkryeministri Edi Rama do të besonte qoftë edhe për një cast gënjeshtrat e tij, ky akt normativ nuk do të ekzistonte. Sepse cdo qeveri, që vjen pas një opozite të gjatë, do të kujdesesj shumë që hapat e parë t’i kishte, jo vetëm të matur, por edhe shpresëdhënës. Cfarë optimizmi mund të zgjojë një kabinet, kur as në muajin e tij të parë, nuk i afrohet pararendësit? Përfytyro se cfarë ndodh në fund kur i bien fare bateritë? Ndaj edhe ky akt normativ është, në një mënyrë, edhe prognoza e qartë e të ardhmes së qeverisjes Rama-Meta.

Por sot është një ditë e zezë edhe për shtetin e së drejtës në Shqipëri. Ky akt normativ cënon rëndë kornizën ligjore të vendit, e cila e lejon qeverinë të marrë borxh vetëm për investime publike dhe kurrësesi për shpenzime operative. Rama –Meta na kanë sjellë sot një projekt, që i bën rrush e kumbulla edhe ato pak para, që do të mblidhen nga tatimet dhe doganat tmerrësisht të rrudhura të “Rilindjes”.

Dhe në një vend ende të varfër si Shqipëria, është njësoj si t’i kërkosh lekë dikujt e të shkosh për të darkuar tek “Piazza”, kur nuk ke bukë për të ngrenë në shtëpi. Apo që të shkosh e të flesh tek “Sheraton-I”, me pesë yje, kur nuk ke për të paguar qeranë e shtëpisë dhe faturën e dritave.

Në mbyllje, ky akt normativ është i papërgjegjshëm, i pamoralshëm,i pacipë, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe një goditje e rëndë për ekonominë kombëtare, mu në ditën që ajo pret të ringjitet si dikur, në ditët me diell të parakrizës globale. Por përtej këtyre të vërtetave të hidhura, ky akt i qeverisë Rama-Meta shkon edhe më larg se kaq.

Është preludi i një stine të frikshme evazioni dhe abuzimesh, jo vetëm në tatime dhe dogana, por në cdo qelizë të kësaj qeverie. Ky akt normativ qelbet era korrupsion, dhe, për fat të keq, kjo nuk vlen vetëm për këto dy muaj, që kanë mbetur deri në mbylljen e 2013-ës.

Është vetëm fatura e parë që paguajmë prej kësaj qeverie të papërgjegjshme. Sa më shumë ta lëmë të na udhëheqë, sic i pëlqen të thotë dhe veprojë kryeministrit, aq më të madhe do ta kemi gropën, ku do të na zhysë, akt pas akti, ditë pas dite, dhe vit pas viti.