Fjala e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka në Kuvend:

Zoti drejtues i seancës, përpara se të filloj fjalën time, dua të evidentoj një fakt të turpshëm që ka ndodhur sot gjithë ditën.

Së pari, Ministri i Financave nuk ka qenë pothuajse gjithë ditën në sallë dhe e ka detyrim me rregullore të jetë aty dhe përveç kësaj, kryeministri i kësaj qeverie ditën që diskutohet në Parlament, akti normativ për buxhetin mbledh nuk e di se çfarë këshillash në zyrat e tij pikërisht dhe me qëllim që të sfidojë këtë Parlament.

Në këtë Parlament zotërinj nuk jemi vetëm ne, por jeni edhe ju. Prandaj, turpi është për ju sesa për ne.

Kur u diskutua programi i i kësaj qeveri, ne nuk mund të bënim gjë tjetër vetëm ti përsërisnin shqiptarëve se ashtu si edhe gjatë fushatës, Rama vazhdoi t’i gënjente.

I gënjente për legalizime falas, shëndetësi falas, heqje taksash për biznesin, heqje TVSH-je për ushqime, energji etj, etj. Më shumë ne nuk mund t’ju thonim shqiptarëve sepse qeveria sapo ishte ulur në ato karrige.

Sot gjendemi përpara aktit të parë serioz të kësaj qeveri. Kur them akt serioz, sigurisht që nuk kam parasysh aktin në vetvete, për faktin se ky është akti i parë real që ndërmerr kjo qeveri, e cila deri tani ishte marrë me heqje portretesh dhe fotografime bodrumesh.

Në fakt sot morëm vesh se kryeministri ishte marrë me numërimin e thasëve të fasuleve neper magazina.

Çfarë u thotë kjo qeveri shqiptarëve? Sidomos atyre 1 milionëve që ka qejf Rama. Vetëm pak muaj e ditë pasi u premtoi parajsën, sot u thotë se do t’i çojë drejt humnerës.

Atyre njerëzve që presin shërbim shëndetësor falas, sot nëpërmjet gojës së Beqës ju tha se do të sakrifikojnë për të ndezur kaldajën në spital. Atyre që presin t’u ulen çmimet e ushqimeve, sot u tha se nuk kanë bukë as për ushtarët në Afganistan. Personave me aftësi të kufizuara që presin pagesat e tyre, u tha duke mashtruar trashë, se paratë e tyre nuk janë, se qeveria e kaluar paska shtuar listat me emra invalidësh, ndërkohë që ata e dinë shumë mirë, se listat dhe paratë i menaxhon pushteti lokal.

E jo më kot, edhe sot ata invalidë protestojnë përpara bashkive të Durrësit, Gjirokastrës, Korçës, që jo rastësisht janë bashki që drejtohen nga socialistët.

Kanë kaq kohë, dhe i dëgjuam edhe sot, të përsërisin se qeveria Berisha u paska lënë një gropë të zezë në financa, prandaj dhe për humnerën ku po e çojnë vendin këta, prapë fajin e ka Saliu.

Unë nuk do t’u besoj deklaratave të FMN-së, BB, apo BE-së lidhur me stabilitetin e ekonomisë shqiptare, por do të marr të mirëqenia ato që po na thotë Rama, se qeveria kriminale Berisha, ka lënë një gropë të zezë në financa që evazioni dhe kontrabanda në Shqipëri gjatë qeverisjes Berisha ishin kthyer në një hemoragji të vërtetë për financat etj, etj.

Dëgjova sot, shumë ekspertë këtu, por si qytetar i thjeshtë me kulturë modeste financuare, unë do të doja që kryespecialisti i financave Rama, të më shpjegonte diçka.

Si ka mundësi që kjo qeveri pasi bllokoi nëpërmjet çupave hemoragjinë në tatime dhe dogana, pasi ka bllokuar evazionin dhe kontrabandën, të mbledhë më pak të ardhura sesa qeveria “zullumqare” e Berishës?! 
Ma shpjegoni zotërinj? Ma shpjegoni se si ndodh që pasi kapni dhe bllokoni “hajdutët e Berishës”, paratë në arkë në vend që të shtohen, u pakësokan?

Një gjë tjetër që besoj ju duhet shpjeguar shqiptarëve, është se si një qeveri që nuk paska para t’ju japë atyre që janë për bukën e gojës, i lejoka vetes të harxhojë miliona për të ndryshuar mobiliet në zyrën e Ramës sa herë ai ndryshon ngjyrën e çorapeve, në mënyrë që ngjyra e mureve dhe mobilieve të përshtatet me ngjyrën e çorapeve.

Si shpjegohet që një qeveri që nuk ka para’ për invalidët, nuk i kursen paratë kur është puna për të shëtitur nëpër botë, por një shpurë e tërë udhëton në biznes dhe first class me bileta avioni, që shkojnë deri në 4 mijë euro për njeri.

Nuk e di se pse kryeministri i një qeverie, që nuk ka asnjë litër naftë për nevojat më të domosdoshme (siç deklaroi këtu Rama), përdor helikopterin për të shkuar dhe atje ku mund të shkosh në këmbë?
Por nuk mjafton!

Për të bërë të gjitha këto, kanë vendosur të marrin dhe borxh.

Jo borxh për investime, as për rroga e pensione, siç gënjeu këtu zotëria, por për të ruajtur nivelin maksimal të shpenzimeve për vete.

Asnjë qindarkë nuk është ulur për shpenzimet e qeverisë në këtë akt. Asnjë qindarkë, sepse Rama dhe shpura e tij, nuk duan t’i privojnë vetes asnjë luks, megjithëse bën sikur qan e bërtet për ata që s’kanë buke të hanë.

Ky zotëria që qante këtu për invalidët ,vishet me kostume nga 10 mijë euro, shëtit në biznes class me bileta nga 4 e 5 mije euro e nuk pi RedBull por kërkon shampanjë nga ato që vetëm një shishe kushton mijëra euro.

Zoti Rama, ne këtej vërtetë mund të mos veshim Versace apo Brijoni siç vesh ti, jo se nuk i njohim siç bëre ironi, por se nuk kemi zbuluar akoma se si të gjitha këto që bën ti, behen pa para siç ti deklarove këtu.

Na ndriço zoteri se;

Si mobilohen zyrat e tua me mobilie të shtrenjta, PA PARA.

Si udhëtohet në biznes e first class PA PARA

Si blihen toka e ndërtohen vila si ajo që po ndërton ti, PA PARA… 
Na ndriço!

Sigurisht që asgjë nga këto nuk bëhet pa para dhe për më shumë, të gjitha bëhen me paratë e atyre për të cilët kryeministri derdhi këtu lot krokodili.

Nuk dëgjova sot asnjë prej deputetëve socialistë, të bënte llogari si dikur për borxhin, se sa ju rëndon ai çdo qytetari shqiptar. Dikur kur bërtisnin për krimin “që bënte qeveria Berisha”, pse e rriti borxhin mbi 60%, megjithëse të gjitha paratë që merrte ajo qeveri borxh, përdoreshin për investime, pra u ktheheshin përsëri shqiptarëve në forma të tjera.

Nuk dëgjova të bënin ndonjë llogari të tillë sot. Nuk dëgjuam se sa do u shtohet borxhi shqiptarëve me qëllim, që Ramës mos i mungojë luksi në zyrë.

Nuk dëgjova të thotë njeri, se sa pagesa invalidësh mund të bëheshin nëse Rama dhe shpura e tij do të hiqnin dorë nga fare pak privilegje të panevojshme nga ato që nuk bëhen pa para…

Rama na tha sot këtu, se llogari do të japë pas katër vjetësh, përpara shqiptarëve e jo përpara nesh.

Sigurisht që llogarinë me shqiptarët e ka. Dhe ne këtu përfaqësojmë disa qindra mijë shqiptarë nga ata që nuk i besuan as mashtrimeve të Rames e as parave të pista.

Sa për katër vjetet… Kështu siç e ke nisur mor zotëri, vështirë se do t’i kapësh katër vjet.

Se sa do të durojnë shqiptarët, kur dhunës dhe terrorit që po ushtroni t’i shtoni dhe humnerën e varfërisë, kjo është për t’u parë.

Duke u shkatërruar shtëpi e biznese, me leje dhe pa leje, duke i nxjerrë në rrugë të madhe pa pyetur as për ligj e as për Kushtetutë e duke i nëpërkëmbur përditë,  do të shohim se sa gjatë do të durojnë, jo ata që përfaqësojmë ne, por ato një milion shuplakat, që shumë shpejt do t’ju kthehen në 1 milionë shkelma.