Teksa Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit janë përfshirë në marrëzinë  e shkarkimeve kolektive, dhe në ethet e emërimit të oficereve të tyre besnikë, vjedhje, krime, aksidente, dhe vrasje po ndodhin çdo ditë në Shqipëri.

Javën e fundit janë trefishuar vjedhjet e banesave, janë dyfishuar vjedhjet e makinave, është rritur dyfish krimi i vendosjes së lëndëve eksplozive në banesa dhe biznese. Janë rritur aksidentet dhe vrasjet, dhe ka rene fuqia zbuluese e policisë.

Qeveria e sotme premtoi reduktim të krimit, por ngjarjet e ditës tregojnë se krimi është trefishuar dhe pasiguria e jetës është rritur në nivele të frikshme.

Qeveria dhe Ministri i Brendshëm po veprojnë në fakt me dorë të hekurt kundër oficerëve profesionistë ne kundërshtim të plotë me ligjin për Policinë e Shtetit, dhe po i lënë dorë të lirë krimit.

Partia Demokratike është e shqetësuar nga kjo situatë dramatike, dhe gjendet pranë të afërmve dhe familjarëve të viktimave. Ne nuk jemi opozita që kërkon përfitim politik prej viktimave dhe funeraleve, siç ka bërë rëndom në 8 vite kryeministri i sotëm, por jemi të shqetësuar për pasigurinë që shoqëron sot jetën e qytetarit shqiptar.

Ne i kërkojmë qeverisë të heqë dorë nga spektakli i ekraneve, dhe të zbresë në terren e të bëjë detyrën e saj për të mbrojtur jetën e qytetarëve të vendit.

Shqiptarët meritojnë të  kenë një qeveri që  të garantojë sigurinë e jetës së tyre dhe jo një tufë zyrtarësh që rendin kush e kush të pushtojë më parë ekranet, revistat e gazetat.