Konferencë për shtyp e deputetit të Partisë Demokratike, Florion Mima:

Ashtu siç kishim paralajmëruar, Qeveria e Rilindjes, vijoi dje me anulimin e shumë koncesioneve në hidroenergjetikë, procedurat e të cilave kishin muaj e ndoshta edhe vite që kishin nisur e që kishte qëlluar të miratoheshin në mbledhjet e fundit të qeverisë së mëparshme.

Zoti Rama, me këtë akt, konfirmoi se, për të, 23 Qershori është data 0, dhe se, pas kësaj date, gjithçka e miratuar, pavarësisht se me procedura ligjore e transparence të plote, do të ç’bëhet.

Partia Demokratike ka qenë e para që e ka inkurajuar qeverinë e re që të hulumtojë e investigojë me lupë në dorë çdo koncesion, leje a privatizim të aseteve publike, por fakti që kjo nuk ndodh, por qeveria zgjedh rrugën e anulimit bazuar vetëm në datën 0, na jep arsye të forta për të besuar se i vetmi qëllim është që subjektet të cilat u prekën dje, por edhe të tjerë që do të preken në ditet në vijim, të fillojnë të vendosin kontakte me zyrat speciale a me persona të caktuar afër qeverisë. Partia Demokratike inkurajon dhe trimëron të gjithë investitorët të  qëndrojnë fort e të mos thyhen përballë asnjë presioni korruptiv.

Ligjshmëria do të fitojë mbi çdo përpjekje për të nënshtruar ligjin me akte të pastra korruptive e abuzive dhe te nxjerra në shpërdorim të pastër të detyrës zyrtare.