Fjala e plotë e deputetit te PD Oerd Bylykbashi ne Kuvend:

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit

Te nderuar kolege.

Një muaj e gjysëm më parë, në fillim të kësaj legjislature, debatuam gjatë në këtë sallë mbi pseudo-programin e qeverisë Rama-Meta.

Ne fjalen time atehere, theksova se Kryeministri Rama me ate pseudo-program po kerkonte nje mandat te bardhe, nje carta bianca per te bere çfarë t’i dojë qejfi, i palidhur me premtimet elektorale per rritje te ekonomise, krijim të 300 mijë vendeve të reja të punës, shendetësi falas, heqje te taksave për 95% te popullatës, legalizime falas e te tjera premtime plot shkelqim te rreme.

Atehere theksova se me këtë carta bianca që i dhanë, ky Kryeministër do të kishte të drejtë që premtimet e tij elektorale ti përmbushte më pak, ose ndryshe nga ç’kishte premtuar ose do të bënte gjëra krejt të tjera të papremtuara. Theksova se kjo carta bianca ishte e rrezikshme se askush nuk do të mund t’i kërkonte këtij Kryeministri llogari sepse programi i tij nuk kishte asgjë nga premtimet e bëra.

Për fat të keq, situata është edhe më keq. Qeveria Rama-Meta po na vjen me një bllok të zi në dorë. Qeveria po nxin çdo gjë, në ekonomi, në rend publik, në administratë, në territor, ambient, në prona, etj. Loja e qeverisë me publikun është e qartë. Të nxijë çdo gjë, ta bëjë të jashtëzakonshme, urgjente, që të mos i lerë kohë askujt të mendojë në mënyrë racionale, të trembet nga emergjenca dhe të pranojë në heshtje masat e jashtëzakonshme të qeverisë; tatime te jashtëzakonshme, masa ekstreme në buxhet si kjo gropë financiare që po përpiqet të miratojë sot, veprime të kundraligjshme dhe ekstreme në strukturën e policisë si emërime pa ligj e shkrirje strukturash kyçe, që më pas ta ndërsejë policinë, pa ligj, kundër bizneseve, pronave dhe individëve të terrorizuar nga aksione të denja për një shtet policor.

Kjo urgjencë ekziston vetëm në kokën e kryeministrit dhe ai po e përdor që të justifikojë përdorimin e sopatës së akteve normative. E filloi me administratën, tani me buxhetin. Shqiptarët duhet të presin me ankth që të shohin se kush e ka radhën për sopatën normative të qeverisë Rama-Meta.

Kjo gjendje e jashtëzakonshme që pretendon dyshja Rama-Meta i shërben atyre si alibi për të mos mbajtur premtimet e veta. E si mund të mbahen kur situata ekonomike qenka një krizë e plotë dhe gropa fiskale nën këmbët e shqiptarëve qenka një greminë e thellë?!

Po sa kohë mendon ky çift donkishotesk se do t’i mbajë shqiptarët nën presion e terror psikologjik?

Qeveria thotë jemi në krizë, pra recesion, por BE dhe FMN i thonë të gjithëve se Shqipëria do ketë këtë vit rritje prej 2%, rritje kjo më e lartë se në vitin 2012, dhe ne vitin e ardhshëm do ketë përmirësim të mëtejshëm.

Progres-Raporti i Komisionit Evropian jep panoramën më të qartë e më të besueshme. Por për fatin e shqiptarëve, kjo është e kundërta e asaj që thotë Kryeministri sot.

Pra, kujt t’i besojnë shqiptarët? Kryeministrit që i përngjet Kalorësit të Fytyrës së Vrerosur të Servantesit dhe Kryetarit të Kuvendit që i qesh pas kurrizit për brroçkullat që ai këput? Apo t’i besojnë FMN-së, Progres-Raportit të BE-së që na propozoi për të dytin vit rresht të qeverisjes Berisha, statusin e vendit kandidat? Unë jam i sigurt se shqiptarët i besojnë Barrozos dhe jo pinokërirave dhe donkishotizmave të dyshes Rama-Meta.

Qeveria kërkon të thellojë defiçitin duke thënë se kanë rënë të ardhurat. Por dështon me sukses të shpjegojë pse nuk ruan trendin 8 mujor të defiçitit. Në 8 muaj, defiçiti i qeverisë sonë ishte vetëm 15 miliardë lekë. Por kjo qeveri po kërkon të përdorë këtë akt normativ si tritol që gropën financiare ta bëjë një greminë të rrezikshme financiare duke rritur defiçitin vetem në 4 muaj me 24 miliardë. Asnjë zezonë ekonomikë që trumbeton Kryeministri nuk e justifikon këtë.

Tjetër gjë qëndron pas gjithë kësaj. Ashtu siç bëri me seminarin e gushtit ku ftoi ekspertë të huaj që ata të thonin se premtimet nuk mund të mbaheshin, tani ka marrë kovën me bojë të zezë e po lyen me të fasadën e ekonomisë shqiptare që BE, FMN dhe Banka Botërore e shumë institucione të tjera thonë që është një histori e suksesshme në detin e krizës botërore.

Për fat të keq shqiptarët kanë për kryeministër një piktor. Kryeministri ynë po përpiqet të trembë shqiptarët duke pikturuar ekonominë shqiptare me ngjyrat e zeza dhe gri. Me këtë sterrosje, Kryeministri po përpiqet të justifikojë kompanitë e huaja mercenare që po kontrakton me para të shqiptarëve për të audituar borxhin, menaxhuar tatimet dhe doganat apo për të lobuar.

Më e pakta, kjo është paaftësi në menaxhimin e financave të shtetit nga kjo qeveri, por besoj me shumë se ky eshte një klientelizëm dhe korrupsion i hapur. Me këtë akt normativ, duke thelluar mosrealizimin e të ardhurave dhe defiçitin, ju po i thoni bizneseve kliente dhe vullnetare tuaja që të nxitojnë e të bëjnë evazion fiskal, të fshehin të ardhurat e të mos paguajnë taksat, sepse administrata tatimore është brenda marzhit të mosrealizimit, nuk do ju vijë nga pas t’ju zerë me presh në duar. Dhe ndërkohë që policia e Kryeministrit është ndërsyer rrugëve mbi bizneset private, askujt nuk ia mban të nxjerrë kokën jashtë, aq më pak të nxgrejë zërin. Dhe kështu, klientët tuaj vazhdojnë evazionin tashmë të ligjëruar.

Me këtë akt normativ ju i jepni vetes të drejtë, pasi përhapni tymnajnën e zezë, të merrni hua 400 milion dollarë. T’i kishit marrë hua për investime, apo për të paguar detyrimet e prapambetura, gjysma e së keqes. Por ju, jo vetëm po shkurtoni investimet me pasoja të rënda për ekonominë dhe kompanitë që kanë realizuar detyrimet kontraktuale, por ju me borxhin që po merrni po ia shtrengoni lakun në fyt shqiptarëve.

Dhe per çfarë? Për shpenzime korrente qeveritare! Qindra miliona dollarët që merrni hua për shpenzime luksi të Kryeministrit dhe ministrave për zyra luksoze udhëtime, madje bashkë me bashkëshortet siç thotë Kodi Etik, për shpenzimet për ngritje ministrish të reja, të gjitha këto do të paguhen vetëm nga xhepat e shqiptarëve. Por ju ata i bombardoni me mediat tuaja servile duke thënë se vendi është në krizë.

Modeli i sjelljes suaj gjendet edhe në të shkuarën kur baballarët tuaj ndërtonin Bllokun famëkeq në mes të varfërisë, por edhe sot e gjeni ne Korenë e Veriut ku diktatori i ri ka shpenzuar ne një vit 600 milion dollarë për luksin e tij.

Nuk po zgjatem në analizën e shifrave dhe ndikimin dërrmues të këtij akti në ekonomi, se koleget e mi e kanë bërë shumë më qartë. Por duke parë shkurtimet e shpenzimeve që qeveria Rama-Meta po bën, vë re diçka alarmante e cila duhet të ndezë llampat e kuqe. Partia Demokratike ka denoncuar në publik sulmin tuaj arrogant, agresiv dhe frontal ndaj institucioneve të pavarura me qëllimin e vetëm, kapjen dhe kontrollin e tyre. P
avarësia financiare nga qeveria është në themel të pavarësisë së këtyre institucioneve.

Por Kryeministrit i dhembin veshët nga fjala “institucione të pavarura”. Të gjitha institucioneve të pavarura, edhe atyre kushtetuese po u shkurtohen fondet sot. Shkurtime po i behen KLD për inspektimet që duhet të kryejë, KLSH për auditimet, KQZ edhe pse kjo e fundit duhet të bëjë dy palë zgjedhje lokale së shpejti dhe nje referendum mbetet ende i dekretuar për tu zhvilluar në dhjetor të këtij viti. Po shkurtoni shpenzimet e SHISH, të INSTAT etj.

Por shembulli me flagrant është shkurtimi drastik i fondeve për ILDKP, pikërisht atë institucion që po e sulmoni me të gjitha taborret, ato qeveritare dhe ato gjoja te shoqërisë civile apo individë të orkestruar. Kërkoni ta shkrini këtë institucion që do kontrollojë pikërisht juve, qeveritarët dhe konfliktin tuaj të interesit.

Në përfundim, diçka në lidhje me konfliktin e interesit. Kryeministri, me gjeste musoliniane nga ky podium na tha se paratë e marra hua nuk do i përdorë për zyra. Na ka thënë se luksin Kryeministri e bëri me para vullnetarësh dhe donatorësh. Gjithshka jashtë ligjit! Sepse në logjikën e tij, ai është ligji. I duket vetja edhe si Luigji i XIV tani, aq sa për luks e ka mbushur Kryeministrinë me afreske.

Tani, ky Kryeminister t’i shpjegojë shqiptarëve sa lekë nga rritja skandaloze e shpenzimeve korrente për Kryeministrinë, ngritjen e ministrive të reja, pra nga 400 milione dollare borxh per shpenzime, do të shkojnë në xhepat e gjoja “donatorëve” të kuq? Mos të lodhet aspak. Të bëjë publike listën e donatorëve, se llogaritë ia bëjne vetë shqiptarët. Ia bëjnë edhe për tenderat që do ua japë atyre më pas, ashtu siç po ia jep Deloitte and Touche apo Crown Agents.

Dita e mirë duket që në të gdhirë, dhe duke parë retë e krizës ekonomike me të cilat është mbushur ky akt normativ, po e mbyll duke perifrazuar një autor shumë të dashur të baballarëve biologjikë  të një pjese të kësaj qeverie:

Me gusht bashkë, për Ramën iku dhe vapa, zoti i ruajt shqiptarët se ç’dimër vjen prapa!