Deklarata e plotë e deputetit të PD-së, Oerd Bylykbashi:

Një muaj pasi shkelmoi konsensusin për ligjin e Nëpunësit Civil me aktin normative antikushtetues, qeveria ka intensifikuar me egërsi fushatën e presionit dhe spastrimeve mbi punonjësit e administratës.
Ditë për ditë, në të gjitha institucionet, nëpunësve të administratës po u kërkohet dorëheqja nën shantazhe dhe presione pa asnjë motivacion ligjor. I vetmi motiv që bashkon këto kërcënime dhe spastrime është ai politik. 
Me dhjetëra raportime për të tilla kërcënime dhe shkarkime vijnë çdo ditë nga çdo kënd i Shqipërisë. Vetëm pak ditë më parë, rreth 80 punonjës të ministrisë së Brendshme u shkarkuan në orët e vona të mbrëmjes pa asnjë motivacion dhe procedurë. 
Sot ju lëshojmë një thirrje tjetër punonjësve të administratës publike:
Mos ju nënshtroni këtyre presioneve!
Mos pranoni shantazhet për largime të paligjshme!
Denoncojini ato në organet e prokurorisë dhe publikisht!
Partia Demokratike është e gatshme t’u sigurojë asistencë ligjore për mbrojtjen e të drejtave tuaja ligjore. 
Partia Demokratike ju kujton frymëzuesve dhe ekzekutuesve të  këtyre akteve të paligjshme se presioni dhe shantazhi përbëjnë vepra penale të ndëshkueshme nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Ne i sigurojmë ata dhe mbarë publikun se nuk do të jetë e largët dita e llogaridhënies para drejtësisë për këto veprime antiligjore ndaj administratës publike.