Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike Aldo Bumçi:

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por në rastin e z.Rama, gënjeshtra nuk zgjat më shumë se disa orë.

Kryeministri Rama tha dje në drekë se Tony Blair do të punojë vullnetarisht për qeverinë shqiptare.

Toni Blair tha në darkë se ai do të paguhet nga donatorë.

Deri në këtë moment që flasim, z. Rama nuk e ka përgënjeshtruar konsulentin e tij. Pra njëri prej tyre po thotë të vërtetën, dhe mesa duket ai është ish-kryeministri anglez. Dhe kryeministri shqiptar është ai që po gënjen.

Anglezët kanë një shprehje, se: “Nuk ekziston as edhe një drekë falas”.

Z.Rama e di shumë mirë, se konsulenti më i kushtueshëm i botës, z.Blair, çarteri i të cilit kushton jo më pak se 7 mijë euro në orë, nuk mund të ofrojë shërbim falas për kryeministrin dhe qeverinë shqiptare. E ka ditur shumë mirë, se z.Blair do të paguhet.

Përse ai u tha shqiptarëve se Tony Blair do të jetë vullnetar? Çfarë fsheh Edi Rama?

Përse nuk bën transparencë në lidhje me pajtimin e konsulentit më të paguar të botës. Cilët janë donatorët që do të mbulojnë shpenzimet e ish-kryeministrit britanik?

Çfarë interesash kanë ata në vendin tonë? Si do të kompensohen ata për bujarinë që po tregojnë duke nxjerrë para nga xhepi i tyre për të paguar z.Blair?

Pavarësisht listës së vendeve afrikane ku mësuam se z.Rama paska futur edhe Shqipërinë, shqiptarët janë qytetarë europianë dhe i kanë arritur me kohë standartet e transparencës dhe kërkimit të llogarisë.

Ndaj, Edi Rama u detyrohet qytetarëve të këtij vendi shpjegime për lidhjen e tij parazgjedhore me konsulentin Blair, i cili e tha vetë se nuk punon falas. Pyetja që mbetet është: Sa dhe si do ta paguajë z.Rama konsulentin e tij?