Fjala e plotë në Kuvend:

Zonja deputetë,

Zotërinj deputetë,

I nderuar zoti Kryesues i Seancës,

Të dashur qytetare dhe qytetarë,

Parafolësi nuk meriton përgjigje pasi është i ndëshkuar njëherë nga kryetari i tij por vetëm do t’iu them një moment nga një nga shtetarët më kryesorë të BE-së. 
Tek po ecja me të në një korridor më pyet, mirë Sali, se Edi Rama është kaq antishqiptar, kjo është evidente për çdo njeri, po si ka mundësi ata njerëz që janë rreth tij, pranojnë të shkelmojnë interesat kombëtare të vendit siç i shkelmon ai. Përgjigjja ime ishte e thjeshtë: “Ata kanë vetëm interesa personale”. Dhe kjo ishte e qartë më shumë se çdo gjë tjetër.

Kam ardhur këtu për të diskutuar për një problem që është problem kryesor sot, debate në media, publik, midis zyrtarëve, problem ekonomik. Për çdo vend të lirë anëtar i NATO, ekonomia është e para, ekonomia është e dyta, ekonomia është e treta dhe normal që debati për të duhet të jetë më i gjallë se çdo gjë tjetër.

Në të 40-at e qeverisë dhe nuk e them në rrafshin e zisë, por sot është dita e 40 e juaja. Ju sillni sot verdiktin, sillni sot në Parlament një dekret me të cilin ndëshkoni çdo fëmijë shqiptar, çdo të papunë shqiptar, çdo të punësuar shqiptar, çdo të sëmurë shqiptar, çdo shtatzënë shqiptare, çdo të moshuar shqiptar, vendin në tërësi. Bravo. Pasi u rreshtuat në aleancë me Haitin, tani vendosni këtu ta shtyni me shpejtësinë më të madhe drejt recesionit dhe krizës.

Kjo është një vepër makabre. Sigurisht dije mirë se kushërira jote u bë drejtoreshë tatimesh ndaj dhe vjen dëgjon këtu sipas kushërirës, por ç’të bëjnë shqiptarët, të cilët në vend se të shohin një shpresë, është e vërtetë që votuan dhe ne nuk e kemi mohuar, por atyre tani, ajo votë iu kthehet në një dorë të zezë që futet në xhepat e tyre. Ajo votë iu kthehet në një lugë që u merr kafshatën para gojës, ajo votë iu kthehet në një gërshërë që u pret ilaçet, u pret edhe shpresën e fundit. Dhe në një ata që ushqehen me havjar dhe aragosta çdo natë, e bëjnë ata, të cilët marrin dhurata nga Koçot dhe stërKoçot pikturat e Shën Galit me 200 mijë euro dhe zhduken brenda natës 600 ikona dhe këtu derdhin lotë.

Ç’është kjo? E keni shndërruar këtu në një teatër tragjikomedie të paimagjinueshme. Ekonomia shqiptare, Shqipëria është pjesë e sistemit ekonomik rajonal, europian, botëror. Është në vëzhgim të vazhdueshëm nga të gjithë institucionet ndërkombëtare, të gjitha ato papërjashtim pohojnë se Shqipëria ruajti rritjen ekonomike, se rritja ekonomike në Shqipëri ra në 5 vitet e fundit nga 8% në 1.7%, por përsëri mbeti 4 herë më e lartë se sa rritja mesatare e rajonit. Përsëri Shqipëria, e cila pati fatin e keq madhor, dy partnerë, dy fqinjët e saj kryesorë t’i bien në krizë të papërsëritur prej 80 vjetëve të fundit. Shqipëria pati fatin e saj të keq të jetë në këtë kohë krize në një vend jashtë Bashkimit Europian dhe do të ndëshkohej rëndë nga direktivat barrë, e cila urdhëroi bankat europiane në vendet jo anëtare t’i shpallë me risk 100% dhe të ulin kredinë dhe ky është realiteti i bankave shqiptare, të cilat nuk kreditojnë më shumë se 50-60% të kusimeve nga 86% që është norma optimale e kreditit.

Me të gjithë këta faktorë negativë, Shqipëria u mbajt, u mbajt se u bënë reforma strukturore, u mbajt se u zgjerua liria ekonomike, u mbajt se u zvogëlua qeveria dhe Shqipëria u vendos në 10 administratat më të vogla në botë, u mbajt se u bënë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të thithur investimet e huaja dhe në kulmin e kësaj krize Shqipëria ia doli të 3-fishojë investimet e huaja, të marrë çdo vit mbi 1 miliard investime të huaja 4 vitet e fundit. Në kulmin e kësaj krize, Shqipëria ia doli të rrisë me 316% eksportet e saj.

Në kulmin e kësaj krize, Shqipëria ia doli të paraqitet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe eurobondi i saj, i cili fillimisht u shit me interesa 7.8% të shitet sot me një interes shumë më të ulët, kjo është dëshmi e një stabiliteti të qartë financiar. Shqipëria padiskutim përjetoi vështirësi serioze. Ranë evidencat, ranë mundësitë e eksporteve në Itali dhe në Greqi, por megjithatë u mbajt dhe u mbajt nga 3 faktorë. U mbajt para së gjithash se bëmë çdo gjë për një disiplinë fiskale dhe i dolëm të rrisim të ardhurat çdo vit, u mbajt sepse bëmë gjithçka për të investuar dhe për ata që njohin ABC-në e ekonomisë e kanë të qartë se në kushte krize investimet publike janë jetike për të punësuar njerëzit, për të mbajtur rritjen. U mbajt sepse bëmë çdo gjë për të thithur investimet e huaja dhe në këtë kohë dëm i tyre u bënë dy projektet më të mëdha të historisë dhe të rajonit, kaskada e Devollit dhe projekti Trans Adriatik, të cilët lartësuan emrin e Shqipërisë si një vend i sigurtë, si një vend serioz, si një vend i përshtatshëm për investimet e huaja.  Rritja ekonomike u mbajt duke u përpjekur dhe zgjeruar liritë fiskale. Natyrisht, ky 2% i pamjaftueshëm dhe i domosdoshëm do të ishte që cilido që do të ishte në pushtet të bënte çdo gjë për të ecur më tutje. Shqiptarët kanë nevojë jetike për rritjen.

Çfarë po bëni? Ju po sillni me shpejtësi recesionin me papërgjegjshmërinë më të madhe, një gropë që ekziston në psikologjinë e një njeriu që ka zero njohuri në ekonomi, një gropë që ekziston në mendjen e tij, doni ta shndërroni në gropë për çdo shqiptar, po është ai dhe vetëm ai.

Në rast se FMN thotë se Shqipëria pati rritje, piktori dështak flet për gropë, në qoftë se BB flet për rritje, piktori dështak flet për krizë dhe gropë. Në qoftë se “The Economist” shkruan për rritje, piktori dështak shkruan për krizë dhe gropë. Në qoftë se Komisioni Europian përsërit çdo tre muaj se Shqipëria ka rritje, piktori dështak flet për gropë dhe krizë.

Ku jemi këtu? Vetëm Enveri sillej në këtë mënyrë, vetëm ai thoshte se unë e kam drejt dhe gjithë bota e ka gabim. Por kjo është një lojë makabër në tavolina, në vendet e punës, në ilaçet, në librat, në mirëqenien e çdo shqiptari. Kujt doni t’ia shisni ju këto? Dilni lakuriq më keq se ai që doli në plazhe. Po, po. Se ajo është individuale. Qeveri unike në Europë, në botë dhe që thotë se doganat dhe tatimet pasi vendos kushërinjtë e vet, nuk do të realizoni kaq, por 4 herë më shumë se ç’ka qenë deficit. Nuk do të jeni 2 miliardë lekë mangut, por do të jeni 8 miliardë lekë mangut në muaj. Po ç’do të thotë kjo? Kjo është se jeni përgatitur të vendosni sistemin e kleptokracisë. Publikisht dhe drejtpërdrejt. Sigurisht se po të emërosh administratorët e Koços në “Albpetrol” nuk ka më taksa nga “Albpetroli”. Sigurisht se po t’u japësh doganën e Durrësit klaneve kriminale nuk ka më realizime. Sigurisht po t’iu lesh në kontroll portet dhe aeroportet grupeve kriminale që ishin më 2005, doganat, tatimet do të bien në pikiatë. Pa diskutim, si mund të paraqiteni para shqiptarëve e t’u thoni se do u kërkoni doganave të rrisin deficitin 4 herë më shumë.

Ku e keni përgjegjësinë ju? Po ju nuk keni interesa kombëtare, s’keni interesa publike, keni interesa personale.

Po si t’u lejojmë ne të rrisni evazionin fiskal 4 herë? (Pusho ti se ti ke kushërirën aty, mbron kushërirën). Të kujt janë paratë? Tuajat janë paratë? Kujt ia merrni ju këto? Ja u merrni varfanjakëve shqiptarë dhe u qani hallin, lani duart me fjalime bosh të shkruajtura nga Lorenc Vangjeli etj. Edhe një herë.

Ju i dëgjuat këta çfarë ju folën, unë do t’u lexoj juve këtu çfarë kanë shkruajtur këta për ekonominë shqiptare në relacionin e dekretit famëkeq, me të cilin po zhvillojnë skenarin e dytë alla Papandreu në Shqipëri. Urdhëroni; çfarë shkruajnë këta; rritja ekonomike shqiptare në 3-mujorin e parë është 1.7 për qind, rritja ka ardhur nga kërkesa e huaj dhe stimuli fiskal, përsa i përket performancës së tremujorit të dytë theksojmë se, ka pasur një rritje ekonomike lehtësisht më të lartë se tremujori i parë. Punësimi në tremujorin e dytë të 2013 është rritur me 3.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm nga sektori privat shkruhet në relacionin e tyre, por këta harrojnë dhe nuk goxojnë të lexojnë relacionin që kanë sjellë këtu. Vetëm nga sektori privat në periudhën janar-qershor rezulton se janë rritur 12 mijë e 265 kontribues si rezultat i hapjes së bizneseve të reja. Dëgjoni ju populli i gropës se si edhe gropë u hapin bizneseve të reja. Rezulton, thotë, se bilanci tregtar i mallrave është përmirësuar bilanci si problem më kryesor i ekonomisë, është përmirësuar me 28 për qind. Në vitin e gropës tuaj se kryetari juaj, transferat e emigrantëve kanë një rënie të fortë thotë relacioni, duke rënë me 26 për qind në tremujorin e parë të këtij viti. Por, investimet e huaja direkte në 6 muajt e parë të vitit kanë qenë përkatësisht 32 dhe 13.3% më të larta. Unë ua kam shkruar këtë relacioni?! Vazhdojmë. Sepse kur ua shkruajmë ne thonë jo, kur i shkruajnë vete…i bëri armiku thonë. Rreth 90 për qind të deficit të llogarisë korente është financuar nga investimet e huaja dhe ky raport mbulimi nga investimet e huaja është më i larti si mesatare në historinë e tij me rreth 60%. Raporti i mësipërm vlerëson në tërësi pozicionin e jashtëm të Shqipërisë, norma e inflacioni në tremujorin e dytë ishte 2.2%, stoku i kredive në lekë deri në korrik 2013 është rritur me 7.4%, stoku i depozitave është rritur me 2.4%. Niveli i kredive me probleme deri në korrik 2013 është 23.8% dhe është ulur krahasuar me qershorin më parë me 0.4%. Stoku i borxhit shtetëror me 31 gusht sipas relacionit që keni paraqitur këtu, o gruparë që flisni nga mëngjesi në darkë vetëm për gropën, kjo thotë se është 60% e prodhimit të brendshëm. Garancia e brendshme për KESH-in është 1.5% e PBB-së, garancia e jashtme 2.4% e PBB-së. Ju keni frikë t’i lexoni këto. Po nuk folët nga alfa tek omega për gropë ju përjashtojnë.

Kam këtu analizën e Bankës së Shqipërisë dhe s’ka nevojë të ndalem, sepse lexova analizën tuaj, ku armiku i klasës u ka shkruar ju dhe ju e keni shpërndarë vetë. A ka gjë më të rëndë se në këtë situatë, ku vjet e kemi pasur më të vështirë për ekonominë e Shqipërisë. Merrni shifrat dhe të dhënat. Ne erdhëm në Parlament dhe vendosëm të shkurtojmë shpenzimet me 19 miliardë lekë dhe vendosëm të rrisim borxhin, gjithsej vetëm 6 miliardë lekë. Ky ishte qendrimi ynë. Po ju çfarë po bëni zotërinj? Ju me skemën e Papandreut po bëni, po shkurtoni 16 miliardë dhe po merrni borxh 40 miliardë për 3 muaj. Ju që të cilët katër vite rresht nuk latë fjalë e mallkim për Sali Berishën për borxhin, i cili në katër vite e rriti 4%, ju në 4 muaj e rrisni dhjetë më shumë se unë, 4.5%. Po si po ua bëni qytetarëve këtë? Ne e rritëm borxhin 4%, por bëmë tunelin e Elbasanit, e rritëm borxhin me 4% dhe ndërtuam autostradat e jugut, e rritëm 4% dhe ndërtuam autostradën e Hanit të Hotit, e rritëm borxhin 4% dhe financuam mijëra fermerë e projekte, e rritëm me 4% dhe ndërtuam qindra shkolla, ujësjellësa, kanalizime. Nuk përdorëm një qindrarkë të vetme për rroga e pensione. Po çfarë ndodh me ju? Ia dorëzuat doganat klaneve. Ua vendosni kushërinjtë mbi to që të vidhni si lukuni paratë e qytetarëve shqiptarë e shkoni e merrni borxh, duke bërë që ta ngordhni biznesin. Në vend që ato kredi të shkojnë tek biznesi, ju i prisni edhe më tej oksigjenin dhe leshini bankat pas Bonove të Thesarit dhe natyrisht është investimi më komod e i sigurtë dhe ato nuk kanë pse të mos i blejnë. Për këtë votoni ju sot? Në ndërgjegjen tuaj shoqërore nuk mbetet asnjë gjurmë. A keni njerëz të varfër e të sëmurë në zonat tuaja?  A keni njerëz pa shtëpi në zonat tuaja? A keni njerëz që nuk kanë as fasule e makarona siç thotë kryetari juaj? Po kapardisen me librin e vajit që e sigurojnë si ndihmë, a keni të moshuar që numërojnë kafshatën dhe s’kanë të blejnë ilaçet? Atëherë, ku i çoni ju 240 milionë dollarë që ua hiqni doganave dhe takimeve me një të rënë të lapsit për të krijuar gropën në mendjen e kryetarit tuaj. Ju po shkatërroni administratën. Ku është kushërira, e cila s’ka ardhur sot, me shpirtin e të ndjerit Spiro Kolekës, dhe me një gjysmë tjetër ndjek ekspertët në çdo ministri për t’i përzënë. Sikur të mos ishte një zyrtare. Po demotivoni çdo gjë. Keni marrë një fushatë të egër kundër bizneseve, sulmesh, dhe zotërinj i them kryetarit tuaj se çdo qindarkë që do të gjesh si keqadministrim, filloje nga Sali Berisha deri tek zyrtari më i thjeshtë dhe dërgojë në Prokurori. Unë do të qëndroj në ato që kam thënë. Ke ndërtuar pallatin nuk ke faturë, po ndërton vilën dhe s’ke faturë. Këto janë evidente dhe s’po të them për të tjerat akuza. Merr Brionen me avion privat për të qepur kostumet. S’ke një faturë. U zhdukën 600 ikona në një natë dhe s’ke faturë. Unë i them këto dhe ja ku është ai se ka blerë mandatin me projektin e të birit të vet.

Së fundmi, keni vendosur të rrihni gjoksin me vendimet e mia. Bëni vendimet tuaja dhe mos bëni kështu. Del ky ministri i Shëndetësisë dhe zotohet se në tetor gratë shtatzëna do ta kenë falas këtë shërbim dhe tërë punonjësit tallen me të. Një gënjeshtar profesionist që del në ekran e gënjen. Nëse doni të mburreni bëjeni me vendimet tuaja.

Prandaj dhe në qoftëse doni të mburreni, mburruni me vendimet tuaja se deri tani në 40 ditë keni dëgjuar nga ju, qoftë nga ministri në fjalë, ballokume nga ministri tjetër, 100 ditë të pastrojmë kioskat që të vijnë monopolet.

Edhe një herë, thirrja ime është kjo, mos e votoni këtë akt. Është e turpshme do të hyni në Guiness, do të dëmtoni vendin, është dëshmia më flagrante e instalimit të sistemit të kleptokracisë, rritja me 4 herë e mosrealizimit në tatime dhe në dogana, e tha ministri juaj vit elektoral u ulën me 2.6%, por shikoni sa u ulën në vitin tuaj elektoral. Në vitin tuaj elektoral u ulën 10 herë më shumë, merrni të dhënat, ne kemi bërë gjithçka edhe atë periudhë vere kur u thërrisnit se është qeveri kujdestare kemi bërë gjithçka për të ruajtur disiplinën shqiptare, jo për ju, por për qytetarët. Dhe e prumë me 2% në një vit elektoral minus. Ju në vend që t’i falenderoni, po çoni në postet më nevralgjike të doganave një që ka 0 njohuri. Ku është ministri, shpiku një  taksë të re sot, tatimfitimet duhen shtuar, injoranca financiare nuk mund të ketë emër tjetër veçse emrin e ministrit të Financave. Të gjitha këto i kisha për qeverinë Rama-Meta.