Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, priti në një takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, Drejtorin Ekzekutiv z. Piero Cipollone dhe Drejtoreshën për Rajonin e Europës Juglindore znj. Ellen Goldstein, me të cilët pati një bashkëbisedim dhe shkëmbim idesh lidhur me bashkëpunimin e suksesshëm shumëvjeçar mes Bankës Botërore dhe Shqipërisë, arritjet e Shqipërisë veçanërisht nën qeverisjen e demokratëve, si edhe me pikëpyetjet që po shoqërojnë zhvillimet ekonomike dhe fiskale në këto muaj të parë të qeverisjes socialiste. 

Ai bëri një ekspoze të situatës makroekonomike dhe makrofiskale si dhe të zhvillimeve më të fundit që kanë pasuar rotacionin politik në Shqipëri. Ai i shprehu bashkëbiseduesve shqetësimet e lindura përgjatë një muaji të qeverisjes së re socialiste, që kishin të bënin me fusha të tilla si: ligji i nëpunësit civil, Akti Normativ për ndryshimet në ligjin e buxhetit, anulimet e koncesioneve të ligjshme në menyrë të njëanshme nga Qeveria socialiste, prognozat aspak optimiste lidhur me zhvillimet ekonomike në vend si dhe pasigurinë që po zë gjithmonë e më shumë vend në planet e konsumatorëve dhe biznesplanet e investitorëve.

Z. Basha, në veçanti u ndal në zhvillimet në fushën e administrimit fiskal, fushë e cila është bërë arenë e emërimeve politike dhe aspak meritokratike, emërime të cilat po kushtëzojnë borxhimin e mëtejshëm të vendit në nivele të panjohura më parë. Z. Basha informoi bashkëbiseduesit lidhur me detaje të Aktit Normativ për ndryshimet në buxhet si dhe me shkeljet e dukshme ligjore që e bashkëshoqërojnë këtë akt, i cili sanksionon marrjen e huave të reja, jo më për investime publike siç e kërkon ligji, por tashmë edhe për shpenzime administrative dhe operacionale.

Kreu i opozitës, gjithashtu u kërkoi bashkëbiseduesve që të vazhdojnë të jenë pranë Shqipërisë, si deri më sot, me programe dhe projekte zhvillimi dhe në të njëjtën kohë paraqiti idetë e tij lidhur me prezantimin e kushteve monitoruese, strikte ndaj Qeverisë shqiptare për të qenë në gjendje që të përfitojë nga kreditë dhe programet e tjera të mbështetjes buxhetore nga Banka Botërore.