Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demoktratike z.Lulzim Basha në Korçë:

“Të dashur qytetarë të Korçës, zonja e zotërinj, i nderuar kandidat i PD dhe i “Aleancës Qytetare”, për Korçën, z. Sotiraq Stratobërdha, të dashur përfaqësues të Korçës në Kuvendin e Shqipërisë, zonja dhe zotërinj!

Më lejoni t’ju përshëndes me respekt dhe nderimin më të madh për ju dhe qytetin tuaj, këtë perlë, jo vetëm të juglindjes së Shqipërisë por të civilizimit shqiptar, ku qëndron prej kohësh, si simbol i veçantë i këtij qytetërimi dhe i këtij patriotizmi, brez pas brezi, me kontributin tuaj, emri i qytetarisë korçare. Unë drejtoj tashmë prej dy vitesh, Bashkinë e Tiranës, kryeqytetit, më të madhin në vend dhe sigurisht jam krenar për Tiranën time, Tiranën tonë, Tiranën e tiranasve, korçarëve, shkodranëve, vlonjatëve, dibranëve e kujtdo tjetër që jeton aty dhe ku sot pulson zemra e madhe e vendit dhe kombit shqiptar, por duke e kthyer paksa prapa vështrimin në histori, me gjerdanin e çmuar por modest të qytetarisë shqiptare shohim Korçën dhe dy-tre qendra të tjera që shndrrijnë, prijnë dhe tregojnë rrugën nëpërmjet vlerave të së shkuarës dhe paralajmërojnë të ardhmen e qytetarisë shqiptare. Shohim Korçën, qytetin, polisin që këtu në Korçë ka lindur i tillë, ka jetuar i tillë, jeton i tillë dhe do të mbetet i tillë, sa të rrojë Shqipëria, siç thotë një ndër këngët patriotike të qytetarisë së vjetër korçare.  
Me të gjithë miqtë e mi, nga të katër anët e Shqipërisë kam ndarë që nga fëmijëria dhe kemi ndarë prejardhjen tonë gjeografike, që nga bankat e shkollës, universitetit, përvojave të punës, jashtë Shqipërie, këtu në Kosovën fqinje ku kam punuar për disa vite, natyrisht në Shqipëri, edhe në Bashkinë e Tiranës ku drejtoj, edhe në aulën e Kuvendit kur isha parlamentar dhe sa herë kemi folur për prejardhjen gjeografike, kemi ndarë mendimin se është vërtet bukur, madje një privilegj i natyrës të jesh nga Korça, të kesh lindur e të jesh rritur në Korçë.

Kjo është përshtypja e përgjithshme e pjesës tjetër të vendit për Korçën. Kjo është e vërteta, sepse Korça vazhdon t’i udhëheqë shoqet e saj, edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull, që kur poeti ynë kombëtar Naim Frashëri shkroi poezinë e tij të famshme, për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë. Kjo është përshtypja e përgjithshme e qytetarëve shqiptarë për Korçën dhe jo vetëm nuk ndryshon, por forcohet dita ditës.

Sot, jam i nderuar të vij dhe të flas në Korçë, në këtë mbledhje, në këtë tubim që ngjan më shumë qytetar se sa elektoral, në kuptimin klasik të fjalës. Një falënderim të veçantë, dua t’u jap të gjithë qytetarëve korçarë, duke filluar nga shtabi i kandidatit tonë, strukturat e PD dhe aleatëve tanë, për mbështetjen e jashtëzakonshme që po i japin në këtë fushatë qytetare, kandidatit qytetar dhe qytetarit të Korçës, Sotiraq Stratobërdha. 
Zonja e zotërinj!
Në këto zgjedhje, demokratët konkurrojnë si opozitë dhe u takoi demokratëve të Korçës, rasti për t’u kthyer në kutitë e votimit dhe të udhëheqin bashkëqytetarët e tyre drejt kutive të votimit, pak muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, për arsye që dihen.

Kandidati që kemi përzgjedhur bashkërisht, është shprehje e respektit dhe e nderimit për këtë qytet dhe qytetarët, korçarë dhe korçare të cilëve u dhimbset, u bëhet vonë dhe i qajnë hallin qytetit të tyre. Kemi kandiduar personin që besojmë se ofron më së miri potencialin për të avancuar alternativën tonë për Korçën, për të vënë në qendër të programit dhe qeverisjes lokale të Korçës, jo kryetarin e Bashkisë, as shokët apo miqtë e tij personalë, por për të vënë në qendër të Bashkisë së Korçës qytetarin korçar, hallet e problemet e tij, shpresat e dëshirat e tij e të saj, për veten tuaj, për fëmijët dhe qytetin tuaj.

Sapo dëgjuam në mënyrë konçize por profesionale dhe shumë qytetare, përmbledhjen e platformës së kandidatit tonë Sotiraq Stratobërdha për Korçën. Me këmbë në tokë, realist, një njeri që e prek dhe e ndien dhimbjen dhe rënkimin e qytetit, për problemet me të cilat përballet, një njeri që prek dhe ndien shqetësimet e gjithsecilit prej jush dhe shumë e shumë të tjerëve jashtë kësaj salle, votues të PD apo jo, apo votues të kundërshtarëve tanë politikë që kanë tashmë më shumë se 6 vite, për të vënë në balancën e arsyes së shëndoshë të tyre zgjedhjet e bëra dhe rrugën përpara, për t’i bërë vetes pyetjen: A jemi aty ku duhej të ishim, në raport me qeverisjen vendore, a përfaqësohemi mirë në interesat tona nga kjo bashki e cila ndonëse duket se do t’i ndryshojë emri dhe kandidatura, nuk ndryshon asgjë në sjellje, tarafe, përqasje!?

Këtu, gjej rastin të bëjmë edhe një dallim tjetër evident, një dallim që është i qartë për të gjithë ata që kanë dëgjuar e takuar kandidatët në këto zgjedhje. Me të vërtetë, emrat i kanë njësoj, të dy janë Sotiraq, madje duket se Sotiraqi tjetër, në moshë është më i ri por rrugët i ka më të vjetra se Sotiraqi ynë. Mënyrat, përqasjet, botëkuptimet, objektivat janë të një mendësie tepër të vjetër, të një mendësie kur pushteti shikohej si një luks për t’u kontrolluar dhe shpërndarë vetëm mes miqve, ku praktikat e pushtetit lokal i largohen gjithnjë e më shumë transparencës e llogaridhënies, po kështu u largohen qytetarëve dhe po kështu të mirat e pushtetit vendor nuk janë më për qytetarët dhe pushtetarët bëhen gjithnjë e më shumë, jo një dritë shprese apo vizioni por një pengesë dhe një problem shtesë, në jetën e përditshme të qytetarit.

Me praktikën më të mirë të qeverisjes dhe vlerat më të mira të praktikave që ka pasur rastin t’i shikojë por edhe të jetë pjesë e tyre gjatë qëndrimit në Kanada, sot para jush vjen Sotiraq Stratobërdha, më i pjekur, më i aftë, më i vendosur, më i përkushtuar dhe definitivisht më i qartë se Sotiraqi tjetër, sa i përket asaj që u ofron qytetarëve të Korçës dhe qytetarisë korçare për ditët e ardhshme. U ofron transparencë, u ofron llogaridhënie, u ofron modesti, shërbim të përkushtuar ndaj qytetarit, jo arrogancë, as arbitraritet, as errësirë për vendimet kryesore që prekin çdo qytetar të Korçës, u ofron mbi gjitha atë që buron thellë nga zemra e tij dhe zemra e çdo qytetari korçar, dashurinë e pamatë për qytetin tuaj, për perlën e qytetarisë shqiptare, për Korçën tuaj,  për Korçën tonë.

Ndaj, tashmë aleanca për qytetarinë korçare dhe Partia Demokratike, e cila ka një lidhje të ngushtë dhe të fortë me Korçën e ka thënë fjalën e saj, kanë kandiduar jo thjesht një nga më të mirët e fondit tonë intelektual, potencialeve tona njerëzore por pa dyshim një nga bijtë më të mirë dhe të përkushtuar të Korçës ndër vite.

Siç thashë, Partia Demokratike ka një lidhje të ngushtë me Korçën, ka historinë e saj të pasur në këtë qytet, herë në pushtet, herë në opozitë. Që prej lindjes tonë, në dhjetor të vitit 1990, Partia Demokratike ka gjetur një mbështetje të madhe tek qytetaria korçare dhe s’mund të ndodhte ndryshe, sepse vlerat e lirisë, e demokracisë, dinjitetit individual që janë vlera themelore të Partisë Demokra
tike, janë tabani i qëndrueshëm dhe vlerë themelore e qytetarisë korçare. Kjo është arsyeja, se pse sot dua t’i bëj një apel pikërisht këtyre vlerave që e di se ndodhen thellë në shpirtin e çdo qytetareje dhe qytetari korçar, të çdo të moshuari dhe çdo të riu korçar dhe t’u bëj një apel që të hapin mendjet dhe zemrat e tyre dhe me zemër të hapur dhe me mendje të ftohtë, të gjykojnë përtej çdo paragjykimi, çdo përkatësie politike apo tarafore, të gjykojnë për shtëpinë tuaj të përbashkët që është Korça, por të gjykojnë me parametra të gjykimit modern, europian që përbëjnë palcën e qytetarisë korçare dhe jam i bindur se një gjykim i shëndoshë, i zhveshur nga çdo paragjykim do t’ju çojë drejtpërdrejt tek numri një,  Sotiraq Stratobërdha.

Tashmë, ju takon ju, bashkëqytetare dhe qytetarë të Korçës, që me votën tuaj të vlerësoni mençur mes alternativave që ju paraqiten. Ju ftoj pikë së pari, të dilni masivisht në votime! Pushteti më afër qytetarëve është pushteti më i madh, që ka të bëjë drejtpërdrejt me ju, ka të bëjë drejtpërdrejt me interesat tuaja, ndaj mos e lini këtë mundësi të artë për të thënë fjalën tuaj, për shtëpinë tuaj, për problemet tuaja, për dëshirat tuaja. Votoni masivisht, më 3 nëntor!
Ju ftoj të votoni kandidatin tonë, kandidatin tuaj, kandidatin që do t’ua kishte zili çdo bashki e Shqipërisë, pse jo edhe e kryeqytetit dhe jam i sigurt që nga programi i tij, deri tek zbatimi në terren dhe për këtë  qëndrojmë garant si Parti Demokratike dhe unë si kryetar i saj, se do të ketë zero firim apo humbje gjatë rrugës, sepse kjo është shumë e rëndësishme. Çfarë do të votoni, atë do të merrni!

Përtej nevojës për t’i dhënë një frymë qytetit tuaj, shpirtit korçar, përtej reflektimit të problemeve tuaja të përditshme dhe pritshmërive tuaja, në raport me këto probleme që janë dhe mbeten thelbi dhe përmbajtja e këtyre zgjedhjeve, ky do të jetë padyshim edhe një sinjal, një sinjal qytetarie, që i bie të lëshohet këtu nga Korça, për zhvillimet në shkallë vendi, në raport me paligjshmërinë, arbitraritetin, abuzivitetin dhe zhbërjen që po dëshmohet çdo ditë, si mentalitet për t’i lënë vendin shpejt dhe me vepra, fjalëve të bukura të rilindjes. 

Këto zgjedhje kanë të bëjnë drejtpërdrejt dhe në thelb me qytetarët e Korçës, hallet dhe problemet e tyre, ndaj me besimin më të plotë se kandidatura e zotit Stratobërdha dhe programi i tij do të votohen gjerësisht nga qytetarët e Korçës, për të mirën tuaj, për të mirën e qytetit tuaj, dua edhe njëherë t’ju garantoj se aleanca për qytetarinë korçare, Partia Demokratike, aleatët e saj, kandidati ynë janë dhe do të mbeten në dispozicionin tuaj në ditët dhe javën e ardhshme, për të bërë të mundur të sqaroheni për çdo çështje dhe detaj të programit të tij, rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi, sikundër i bëj thirrje çdo qytetari të angazhuar të Korçës, që të japin kontributin e tyre në këto ditë të mbetura, për të bërë të mundur që nëpërmjet transparencës, nëpërmjet zërit tuaj, por edhe nëpërmjet mundësisë për të dëgjuar dhe prekur së afërmi cilësitë e Sotiraq Stratobërdhës, të dini të bëni kontrastin midis dy kandidatëve me të njëjtin emër, po me vizione kaq të ndryshme dhe pritshmëri kaq të ndryshme, për secilin prej jush dhe familjet tuaja”.