Kryetari i PD Lulzim Basha ka përzgjedhur universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, për të uruar të gjithë studentët që nisin sot vitin e ri akademik. Zoti Basha është ndalur në rëndësinë e lidhjes së shkollës me nevojat e tregut, ku një kontribut të veçantë ka dhënë dhe zoti Basha personalisht, duke dhënë ndihmën e tij në hapjen një vit më parë të dy degëve të reja në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, degën e shkencave të aplikuara dhe atë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Në mesazhin e tij, zoti Basha foli edhe për kërcënimin që po i bëhet sot diplomës së merituar nga diplomat fallco apo të blera, emërimit në bazë të meritës dhe rezultateve, me ato nepotike apo politike, mbi baza jo transparente dhe me rezultate te dobëta. 

“Diploma e merituar,  nëpërmjet përkushtimit, dijes, punës dhe investimit tuaj personal ndodhet nën kërcënimin e vazhdueshëm të diplomës fallco, të diplomës së blerë, të emërimeve nepotike apo politike, mbi baza jo transparente, me nota 5 apo 6 e jo për pozicione starti, por për pozicione që zakonisht shënojnë kurorëzimin e një karriere të suksesshme. Ky është një sulm frontal ndaj shkollimit, si vlerë, ndaj duhet dhe do të qëndrojmë fort, për të lartësuar vlerën e përkushtimit të studentëve tanë, për të lartësuar vlerën e diplomës që merret me meritë, për të lartësuar meritën“  – u shpreh kryetari i PD Lulzim Basha. 

Në fjalën e tij para studentëve të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, zoti Basha ka kujtuar edhe studentët që humbën jetën në aksidentin tragjik të Himarës.

“Më lejoni të kujtoj ata studentë të cilët tragjedia për fat të keq do i lërë përgjithmonë në kujtesën tonë dhe prindërve të tyre si studentë. Janë pikërisht ata që humbën jetën në aksidentin tragjik të Himarës, të cilët do t’i kujtojmë me nderim por dhe me nostalgji në zemrat tona, për atë çka përfaqësonin për këtë universitet dhe familjet e tyre” – u shpreh zoti Basha. 

Fjala e plotë e kryetarit të PD, në nisjen e vitit të ri akademik, në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan 

“Të dashur studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, e nderuar trupë pedagogësh, të nderuar drejtues të fakulteteve, prindër, përfaqësues të qytetit dhe qarkut të Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë, z. Kryetar i Këshillit të Qarkut!

Është kënaqësi të rikthehem sot, me rastin e fillimit të vitit akademik për universitetet e vendit, këtu në qytetin e Elbasanit, qytet të cilin kam pasur nderin dhe privilegjin ta përfaqësoj për më shumë se dy vjet në Kuvendin e Shqipërisë.  Ndihem shumë i nderuar që më keni ftuar të jem i pranishëm, pikërisht në ditën e parë të vitit akademik të universitetit tuaj. Me këtë rast, dua t’ju uroj nga zemra gjithsecilit prej jush, një vit të mbarë dhe të suksesshëm akademik. jam i sigurt se ju qe rifilloni apo filloni për herë të parë studimet prisni me padurim t’i përfundoni ato, ndërsa të tjerë kujtojnë me mall vitet që kanë lënë pas, jo vetëm për shkak të domethënies, të kohës së mirë dhe të kujtimeve të bukura që kemi si studentë por edhe për shkak të një reflektimi tjetër, të cilin sot dua ta ndaj me ju, me shpresën se do të ketë një domethënie në vitet tuaja të studimit: Sigurisht që studionim mirë, sigurisht që kemi studiuar mirë edhe ne ish-studentët por gjithmonë mundemi më mirë dhe jeta shpesh herë hedh dritë mbi pamjaftueshmëritë e vëmendjes në vitet e studimit. Me këtë refleksion të shkurtër personal, do të desha t’ju ftoj të përdorni maksimalisht ditët, javët, muajt, vitet tuaja të studimit, për t’u formuar në mënyrë sa më të plotë si individë me dije dhe horizont të gjerë por po kështu në përputhje me nevojat e tregut dhe të vendit.

Para se të hedh fare shkurt vëmendjen tek disa nga sfidat, jo vetëm të universitetit “Aleksandër Xhuvani” por të arsimit të lartë në Shqipëri, më lejoni të kujtoj ata studentë të cilët tragjedia për fat të keq do i lërë përgjithmonë në kujtesën tonë dhe prindërve të tyre si studentë. Jane pikërisht ata që humbën jetën në aksidentin tragjik të Himarës te cilët do t’i kujtojmë me nderim por dhe me nostalgji në zemrat tona për atë çka përfaqësonin për këtë universitet dhe familjet e tyre. 

Sot, kemi fatin që ndodhemi në një vend ku ndërthurja e hapjes apo liberalizimit të  universiteteve dhe rritjes së  sektorit privat ka bërë të mundur një ofertë të shumëllojshme dhe të shtrirë në të gjithë vendin, një konkurrencë të shëndetshme midis publikes dhe privates e forcim dhe zgjerim të kapaciteteve të universiteteve publike, kudo në Shqipëri. Ky hap i ka dhënë fund një ankthi prej dekadash të prindërve tuaj por edhe tuajin personalisht dhe vëllezërve e motrave tuaja më të mëdha , ankthit nëse do ishte e mundur të studionit apo jone Universitet.  Përfundimi i këtij ankthi është natyrisht fillimi i një sfide tjetër, i një rrugëtimi tjetër që ka të bëjë me cilësinë e mësimdhënies por jam i sigurt se ashtu siç detajoi këtu rektori prof.Varoshi, konkurrenca e ndershme, përpjekja për të qenë gjithmonë një hap përpara universitetit tjetër, një hap më tej vitit që latë pas, do të mundësojë që edhe cilësia e mësimdhënies dhe në tërësi cilësia e universiteteve tona, të shkojë drejt përmirësimit.

Sfida e dytë është pa dyshim lidhja midis shkollës dhe nevojave të tregut e nevojave të vendit. Nga njëra anë, pa dyshim që investimi që ju, prindërit e pedagogët tuaj bëjnë në këto vite tek ju, ka të bëjë me zgjerimin e personalitetit të individit të lirë nëpërmjet dhënies së dijes por ky nuk është qëllimi i vetëm i universitetit. Qëllimi tjetër i rëndësishëm është që ju të dilni nga auditorët e universitetit, të përgatitur dhe me dije të cilat i nevojiten vendit dhe gjejnë vend në treg.

Në këtë emblemë të elitës së mendjes dhe dijes së gjuhës shqiptare që është  qytetit i Elbasanit me historinë e tij dhe në veçanti universiteti “Aleksandër Xhuvani”, ky investim shekullor nëpërmjet punës së pedagogëve dhe kërkuesve shkencorë ka marrë një formë të admirueshme dhe për shumëkënd të pakonkurrueshme të lidhjes mes arsimit me nevojat e tregut.

Sot, kjo lidhje ka fituar edhe dimensione të tjera me hapjen e degëve të reja, për të cilat kam qenë i ndërgjegjshëm dhe jam përpjekur të jap edhe unë ndihmën time, si për hapjen e degës së shkencave të aplikuara, apo atë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ku shpresoj dhe besoj që ata që do të ulen sot për herë të parë apo ata që do të vazhdojnë studimet, do të dalin nga këto banka të aftë dhe të zotë, për të zënë vendin e tyre në treg dhe për t’i ofruar Shqipërisë, dije dhe profesionalizëm. 

E treta dhe e fundit ka të bëjë me cilësinë e diplomës së merituar,  nëpërmjet përkushtimit, dijes, punës dhe investimit tuaj personal, e cila natyrisht ndodhet nën kërcënimin e vazhdueshëm të diplomës fallco, të diplomës së blerë, të emërimeve nepotike apo politike, mbi baza jo transparente, me nota 5 apo 6 e jo për pozicione starti, por për pozicione që zakonisht shënojnë kurorëzimin e një karriere të suksesshme. Ky është një sulm frontal ndaj shkollimit, si vlerë, ndaj duhet dhe do të qëndrojmë fort, për të lartësuar vlerën e përkushtimit të studentëve tan
ë, për të lartësuar vlerën e diplomës që merret me meritë, për të lartësuar meritën. Merita në universitete, merita në botën akademike është një pasuri kombëtare. Ju jeni pjesë e kësaj pasurie, trupa juaj pedagogjike është pjesë e kësaj pasurie, universitetet anembanë Shqipërisë janë pjesë e kësaj pasurie dhe për këtë ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm duke u krenuar me ju, por ta mbrojmë atë me çdo kusht.

Edhe njëherë, vit të mbarë  akademik, suksese paçi këtë vit ju dhe familjarët tuaj!”