Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti sot në takim Dr. Ernst Reichel, Drejtor i Drejtorisë për Vendet e Evropës Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, i cili shoqërohej edhe nga Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, z. Hellmut Hoffmann.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari Basha, i shprehu z. Reichel mirënjohjen për mbështetjen, bashkëpunimin dhe ndihmën e çmuar që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe, si edhe i rikonfirmoi vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, për të kontribuar në forcimin e zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve e bashkëpunimit frytdhënës, në të gjitha fushat.

z. Lulzim Basha ripohoi gjithashtu vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, për të mbështetur me të gjitha forcat të gjitha hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian, me qëllim realizimin sa më të shpejt të këtij projekti madhor kombëtar.

Drejtori Reichel, falendedoi z. Basha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore duke i shprehur kënaqësinë e veçantë për angazhimin dhe vendosmërinë Partisë Demokratike për të vijuar kontributin e saj në ecjen përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Europian edhe tashmë si opozitë në Parlamerntin shqiptar.

Z. Reichel vlerësoi si arritje të rëndësishme të Shqipërisë, realizimin e një procesi zgjedhor të rregullt, transparent dhe konform strandareteve në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe pranimin në mënyrë demokratike të të gjitha palëve, të rezultatit të zgjedhjeve, çka përbën një argument të fortë për statusin e vendit kandidat.

Në takim u diskutuan gjerësisht zhvillimet e fundit politike në vend.

Kryetari Basha ndau me drejtorin Reichel shqetësimin e thellë të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, për përqasjen jokonstruktive të këtyre javëve të para të qeverisjes së koalicionit Rama – Meta, duke filluar nga dhuna verbale ndaj opozitës deri tek sulmi i papreçedentë, tinëzar dhe antiligjor ndaj administratës publike.

“Miratimi i aktit të fundit normativ të qeverisë në mungesë të plotë të transparencës, duke ekzekutuar konsensusin me të cilin ai ishte miratuar në Parlamentin shqiptar, si një ndër tre ligjet, kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat, me qëllimin e vetëm, goditjen e administratës publike profesionale dhe zëvendësimin e saj me militantë partiakë, përbën një ogur jashtëzakonisht të keq që dëshmon qartë qëllimet e mazhorancës së re dhe qeverisë Rama, për drejtimin e vendit me dhunën e kartonëve jo sipas parimeve dhe strandarteve demokratike, por në shërbim të interesave të ngushta klienteliste”, tha Kryetari i PD-së.

z. Basha i theksoi z. Hoffmann se opozita shqiptare do të qëndrojë fort me të gjitha mjetet ligjore dhe politike në mbështetje të administratës publike, por edhe si një barrierë e palëkundur kundër çdo veprimi arbitrar të kësaj mazhorance që godet parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë.