Prononcimi për media i Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi dhe aleatët:

Ky ishte një takim me të gjithë Kryetarët e Partive Parlamentare opozitare, ku bëmë edhe një herë të qartë qëndrimin tonë përsa i përket atentatit antikushtetues, antikonsensus dhe antieuropian që është ndryshimi i ligjit për nëpunësin civil.

Shprehëm pikëpamjen tonë dhe vullnetin tonë për të ndalur një përpjekje të tillë të përkeqësimit të klimës politike në vend, sigurisht parë si pjesë e një tabloje të përgjithshme që po ravijëzohet dita ditës, edhe me lajmet e sotme, ku qeveria po sillet si një qeveri e zhbërjes jo thjesht e mosqeverisjes, por e zhbërjes së gjithçkaje dhe e mohimit të gjithçkaje të arritur kjo parë edhe në kuadrin e mungesës së transparencës së emërimeve, shkarkimeve abuzive, emërimeve antiligjore të bëra apo të pritshme në ditën e sotme në organizata të rëndësishme të shtetit siç është Policia e Shtetit, bëhet pra një shqetësim shumë i madh, jo për opozitën si përfaqësuese parlamentare, të vullnetit të çdo qytetari shqiptar për demokraci funksionale, por bëhet shumë shqetësues për të gjithë shqiptarët të cilët kërkojnë që pavarësisht se për kë kanë votuar, në çdo rotacion apo tranzicion, Shqipëria të shënojë hapa përpara dhe jo hapa pas.

Ajo që e pret nesër Shqipërinë, dhunimi i konsensusit të 30 majit në mënyrë unilaterale, antikushtetuese nëpërmjet aktit normativ është një hap i qartë pas dhe një hap i cili do të trajtohet me vendosmëri të plotë nga opozita shqiptare që ka një qëndrim të unifikuar, qëndrim që u bë i qartë po ashtu edhe përfaqësuesit e Brukselit në vendin tonë, ambasadorit Sequi.

Pyetje: Z. Sequi ju përkrah që ju qëndroni jashtë Parlamentit?

Kryetari i PD Basha: Takimi ynë i sotëm pati si qëllim të qartësonte pikëpamjen e unifikuar të opozitës shqiptare mbi këtë çështje. Parimet mbi të cilat mbështetet ky qëndrim janë parime të cilat Brukseli jo vetëm i ndan me ne, por i ka mbështetur publikisht dhe mediatikisht që në ditët e hershme të udhëtimit të përbashkët të Shqipërisë dhe institucionet e Bashkimit Europian drejt destinacionit tonë që është integrimi në BE.

Pyetje: Për sa kohë do të vazhdojë bojkoti?

Kryetari i PD Basha: Qëndrimi ynë në raport me aktin normativ është një refuzim i investimit të mazhorancës për të prishur klimën politike në vend. I investimit të mazhorancës për të shënuar precedentin e parë në 23 vjet pluralizëm të dhunimit të konsensusit. Nuk është zgjedhja jonë, është zgjedhja e tyre. Çdo shqetësim që kanë patur, nqse e kanë patur të përligjur, mund ta kishin hedhur në tryezën e dialogut dhe të konsensusit, zgjodhën koburen e ndryshkur të aktit normativ për të asgjësuar konsensusin, dhe para kësaj natyrisht, opozita do të qëndrojë fuqishëm si mbrojtëse e denjë e interesave të vendit dhe demokracisë, interesa të cilave nuk mund t’u shërbehet as me arbitraritet as me abuzivitet, aq më pak me shkelmim të konsensusit dhe unanimitetit me të cilat u miratuan këto ligje.

Pyetje: Nëse gjykata kushtetuese pezullon aktin normativ, do të ktheheni në parlament?

Kryetari i PD Basha: Pyetjeve me “nëse”, është mirë t’i përgjigjemi kur “nëse-ja”të jetë fakt.