10 ton mandarina të helmuara në treg, Grigels Muçollari: Përgjegjëse për skandalin qeveria dhe AKU, SPAK të nisë hetimet

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Grigels Muçollari:

10 tonë mandarina u ndaluan në dhjetor të vitit të kaluar nga Kroacia, si të dëmshme për shëndetin, prej pesticideve të përdorura.

Prokuroria e Beratit tani po heton pasi dyshohet se ato mandarina, tregtari i ka rifutur në dyqanet tona dhe se janë konsumuar nga ne qytetarët.

Kjo nuk është historia e 3 ose 4 keqbërësve që për ca miliona më shumë shkelin ligjin dhe janë gati të vënë në rrezik shëndetin dhe jetën tonë.

Kjo është historia e përsëritur e një krimi shtetëror që ka për autor AKU-në, Ministrinë e Bujqësisë dhe strukturat e tjera përgjegjëse.

Qytetarët paguajnë taksa dhe mbajnë Agjencinë Kombëtare të Ushqimit dhe zyra të tjera për t’i mbrojtur.

Qeveria ka dështuar të ofrojë siguri ushqimore. Edi Rama e sheh AKU si një drejtori për të shpërblyer patronazhistët e tij në drejtësi, siç ishte dhe emërimi i fundit.

Siguria ushqimore është po aq e rëndësishme sa siguria kombëtare.

Ndaj, duhet që SPAK të angazhohet seriozisht në këtë drejtim. Askush nuk beson se Prokuroria e Beratit do të shkojë tek përgjegjësit e vërtetë që janë drejtori i AKU dhe Ministrja e Bujqësisë. Ata duhet të kujdesen që tek mbjellja e produkteve e deri tek dalja e tyre në treg, sa i përket sigurisë.

Partia Demokratike ka angazhuar ekspertë e njohës të fushës. Ne do të kemi një platformë të plotë të zgjidhjes së këtij problemi. Fëmijët tanë, familjarët tanë, duhet dhe do të kenë garanci për ushqimet që marrin, ashtu si në vendet e BE, ashtu si në Kroaci, Greqi, e Itali.

Është e mundur, dhe ne do ta realizojmë me ndryshimin që po vjen me 11 Maj.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale