Deklaratë për media e Partisë Demokratike:
Sot mediat njoftuan se klubi i miliarderëve të Partisë Socialiste shpalli se nuk janë ata që nuk lejojnë Ramën për të mos votuar heqjen apo kufizimin e imunitetit më datë 6 Gusht.
Nëse kjo deklaratë është e vërtetë dhe Jo bizantinizmi i rradhës së kryetarit të tyre, kjo do të faktohet me votën e këtyre zotrinjëve më datë 6 Gusht, datë në të cilën këta deputetë në një votim historik kanë fatin e madh t’ju faktojne zgjedhësve të tyre socialistë të thjeshtë se barazia para ligjit e të gjithë qytetarëve të këtij vendi është parimi universal që ata pranojnë plotësisht.
Më datë 6 Gusht duke votuar për heqjen e imunitetit të tyre dhe të të gjithë imunitarëve të tjerë të vendit, zotërinjtë miliarderë në krye të Partisë Socialiste dëshmojnë se nuk pranojnë pasurimin e paligjshëm të tyre duke grabitur troje e toka, duke fshehur me imunitet taksa dhe tatime, kafshaten e fukarenjëve të këtij vendi.
Duke votuar me 6 Gusht për heqjen apo kufizimin e imunitetit këta zotërinj do të dëshmojnë vullnetin e tyre se askush nuk do mund të perdorë më imunitetin si mburojë për të mbuluar trafiqet kriminale apo përvetësuar pasuritë publike të vendit.
Duke votuar më datë 6 Gusht për heqjen e imunitetit ata votojnë për shëmbjen e murit të korrupsionit, mur që mjeron gjithnjë e më shumë të varfërit, të papunët e këtij vendi.
Duke pranuar, si ç’deklarojnë sot se janë të gatshëm për heqjen e imunitetit, ata kanë rastin të faktojnë me votën e tyre më 6 Gusht se pavarësisht nga akuzat e përditshme të kolegëve të grupin të tyre socialist dhe Jo vetëm të tyre për pasurim të paligjshëm, ata nuk kanë frikë nga pasuritë e tyre dhe nuk duan, nuk kanë nevojë për vellon e imunitetit për to.
Partia Demokratike fton z. Rama të lejojë deputetët e tij që të votojnë më datë 6 Gusht për heqjen apo kufizimin e imunitetit si dëshmi e vullnetit të qartë për të shembur murin e korrupsionit, për të mos bllokuar rrugën e integrinmit të Shqiperisë në Bashkimin Europian, si një provë që z.Rama dhe partia e tij pranojnë barazinë para ligjit e qytetarëve shqiptarë.

