Boçi: Maratona jonë për të arritur Europën, në metrat e fundit

03/05/2012

Diskutimi i deputetit të Partisë Demokratike Luçiano Boçi në Kuvend: 

“Sigurisht që dita e sotme është disi e veçantë, jo thjeshtë për faktin të ardhjes së komisionerit për zgjerim, por për më së shumti, për fjalët e tij në drejtim të komportimit të klasës politike, përgjatë kësaj kohe, e cila duket se ka gjetur prehjen e kërkuar, në bashkëpunime të cilat po rendin drejt zgjidhjeve të pritura.

Maratona jonë për të arritur Europën, me gjasa, po numëron me një lloj durimi të paduruar, metrat e fundit, të cilat përgjatë kësaj kohe, u tendosën në një zgjatje pa fund, nga shtyrja pa drejtim e miratimit të atyre ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar.

Përmbyllja e proçesit të votimit të tyre, sigurisht që përmban me vete dhe meritën e kontributin e opozitës, e cila luajti në një lojë të pandershme limitet kohore maksimale, për të njollosur me çdo kusht dëshirën e pastër të një kombi të tërë dhe suksesin e pastër të një qeverisje të sinqertë.

Gjithsesi, më së fundmi ne kemi një produkt, i cili natyrshëm i bashkohet asaj përpjekje të konfirmuar, për të përmbushur me sukses e meritë, prioritetet integruese reformatore në fushat e drejtësisë, të administratës, luftës kundër krimit e korrupsionit, të pronave, të drejtave të grupeve të caktuara.

Për këtë arsye, gjithsesi,  ju si opozitë keni falenderimet tona.

Keni falenderimet tona, sepse, më në fund, pas shumë dilemash, u bëtë pjesë e dëshirës sonë dhe të mbarë shqiptarëve, për të kapur ëndrrën, siç ju shprehim dhe njëherë bindjen tonë që, një gjë e tillë nga ju, duhet të ishte bërë para 3 vitesh, ose para dy vitesh, ose së paku para një viti, pasi asgjë nuk ju ka penguar përpos fantazmave të së kaluarës.

Keni falenderimet tona, pavarësisht se nga ju, në rendin e kësaj kohe, ne kemi marrë si dhurata, bojkote pa sens, protesta pa logjikë, deklarata të pamoral, akuza të paqena dhe pengime artificiale, përgjatë të cilave më shumë se dëshirën për tu bashkuar me ne, në rrugën për në Europë, keni treguar dëshirën për pushtet të pamerituar.

Keni falenderimet tona, me kërkesën e thjeshtë që nga ana juaj, ajo që keni pranuar sot, të mos jetë një moment i shkëputur i realizuar nga trysnia kombëtare e ndërkombëtare, thënë ndryshe nga “e keqa”, ose akoma më keq, të jetë një qetësi që përgatit një  furtunë, nga ato lloj, përgjatë të cilave ju keni humbur çadra dhe vlerësim,  pasi duhet të bindeni që kushtet e integrimit janë 12 dhe jo 13, që zgjedhja e figurave të larta të shtetit, duhet tw ndjekw një proces sa më kushtetues.

Të bindeni që pesha specifike e aktorëve vendimmarrës, nuk përcaktohet nga teoria e kompensimit të humbësit dhe as nga emocionet personale taksative, për figura që kanë dhënë e japin kontribut të pamohueshëm universal.

Të nderuar deputetë!

Jo rastësisht, dua të sjell sot këtu në këtë sallë, një argument të botuar një ditë më parë në media: raportin që diktatori kishte kërkuar për vrasjet e kryera deri në vitin 1977 nga regjimi, brenda të cilit vrasjet politike rezultonin se ishin dyfishuar dhe një gjë e tillë shprehej, jo pa krenari nga nënkryetari i presidiumit të atëhershëm.

Një pjesë e rëndësishme e tyre, e përjetuan këtë fat tragjik, sepse, thjesht kërkuan që ne të ishin pikërisht, pjesë e Europës së lirë, prandaj përmendja e sakrificës së tyre mbetet gjithmonë një detyrim absolut.

Ata mbeten iniciuesit e parë të asaj, që ne e kemi formatuar si dëshirë dhe si objektiv primar, sepse forca e mendimit të tyre tejkaloi çdo dhunë fizike dhe faktike.

Ndërkohë, do të ishte disi ironike, që suksesi ynë i kërkuar, të mos shoqërohej dhe me realizimin e një kërkese të kahershme të kësaj shtrese fisnike të shoqërisë shqiptare, përmbushja e së cilës do të purifikonte, jo vetëm politikën, por dhe do rrëzonte me lehtësi pengesat e larta të arritjes së Europës, të ndërtuar nga ata individë që bazën e forcës së rëndesës e kanë në themele të kalbura.

Tek e fundit, çdo shtet që ka trokitur dhe ka hyrë në Europë e ka bërë përpara këtij momenti, një gjë të tillë. I ka hapur dosjet dhe ka ndarë saktë viktimën nga xhelati.

Prandaj dhe opozita jonë duhet ta pranojë një kërkesë të tillë, si argument që hyrjen në Europë, ajo nuk e konsideron si shuplakë ndaj saj, por si arritje të përbashkët”.