Aplikimi për statusin kandidat për në BE, rikthimi i shqiptarëve në familjen evropiane

29/04/2009

Gazeta 55

Së pari, më lejoni t’ju shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time më të thellë e më të madhe për ju, zoti Kryeministër, për pritjen e ngrohtë që më rezervuat sot dhe për diskutimet e frytshme që sapo patëm. Mirënjohja ime shkon për ju, qeverinë dhe vendin tuaj, për mbështetjen tuaj të plotë, si dhe për ftesën që ju më bëtë sot, me rastin e dorëzimit, në emër të vendit tim, juve, si kryetar i radhës së Bashkimit Evropian, kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Në këto momente historike për vendin tim, mendjet dhe sytë e bashkëqytetarëve të mi shqiptarë, të cilët e konsiderojnë anëtarësimin në BE si ëndrrën e projektin më i bukur për të gjithë ata, si projektin më të shkëlqyer për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Të gjithë bashkëqytetarët e mi shqiptarë janë sot me mua këtu në Pragë, ndërsa ne festojmë me gëzim dhe emocion të madh këtë moment solemn, të dorëzimit zyrtar të kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ky akt shënon dhe mbart një domethënie historike, pasi shënon rikthimin e vendit tim në familjen e kombeve evropiane, nga të cilët ai u nda fizikisht, por jo shpirtërisht, për një periudhë kaq të gjatë kohe. Për shqiptarët, historia ka qenë njerka e tyre e vështirë, e ashpër. Por pushtimet e gjata, ndarjet dhe brutaliteti, nuk mundën të shuajnë kulturën dhe vokacionin perëndimor të kombi tim, ashtu si vetëdijen e shqiptarëve të të qenit evropian.  Një burrë shteti i madh evropian ka deklaruar jo shumë kohë më parë se ne duhet t’i mësojmë evropianët ta duan Evropën. Por unë kam kënaqësinë t’ju afirmoj ju sot, zoti Kryeministër i Republikës çeke, se 96 për qind e shqiptarëve duan integrimin e plotë të Shqipërisë në Evropë. Kështu, sindroma e kombit im është dashuria e tyre pasiononte për Evropën.

Zoti Kryeministër, ndjehem veçanërisht i lumtur sot që t’i paraqes kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kryeministrit të një vendi, i cili vetëm 20 vjet më parë, rrëzoi, ashtu si Shqipëria, perden e hekurt. Dita e sotme është ditë e mrekullisë së lirisë që vendi juaj përfaqëson BE-së dhe kjo është një frymëzim dhe inkurajim i madh për ne. Shqipëria vjen sot, këtu, pas momenteve shumë të vështira, ashtu si Çekia, sepse të dy vendet tona kanë pasur një të kaluar totalitare, por në mënyrë thelbësisht të ndryshme. Në një kohë kur nga kryeqyteti juaj u rrezatua një shpresë lirie për të gjithë Evropën, në vendin tim, diktatori shkatërroi dhe sheshoi monumente të mahnitshme fetare dhe kulturore, nga më të bukurat e Ballkanit. Në një kohë kur shpirtrat e mëdhenj intelektualë të Çekisë hartuan kartën e madhe të të drejtave njerëzore, në vendin tim ndërtoheshin vazhdimisht bunkerë. Rënia e perdes së hekurt në Shqipëri zbuloi një vend që ishte aq shumë larg vendeve të botës së lirë dhe një nga 3 apo 4 vendet më të varfra të gjithë planetit, një vend që kishte rënë në skamje, uri dhe dëshpërim.

Por sot, unë vij këtu për të dorëzuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, në një kohë kur Shqipëria, falë punës dhe angazhimit të mahnitshëm, falë solidaritetit të jashtëzakonshëm të miqve tanë në BE, Komisionin Evropian dhe të miqve të tjerë ka bërë një hap jashtëzakonisht të madh, duke u nisur nga pika fillestare, 17 vjet më parë. Shqipëria ka treguar sot se përfaqëson një demokraci funksionale dhe kriteret e Kopenhagenit konsolidohen vazhdimisht. Shqipëria ka një ekonomi tregu të konsoliduar që gëzon stabilitet makroekonomik dhe vazhdon të rritet, vitin e kaluar, ajo u rrit me një ritëm prej 8 për qind. Tani, Shqipëria është bërë vërtet një vend joshës për investitorët e huaj. Vetëm brenda një periudhe të shkurtër kohe, në dhjetor 2008- janar 2009, u kontraktua një vlerë prej 3.5 deri 4 miliard euro në investimet e huaja. Në 4 prill të këtij viti, vendi im u bë anëtar me të drejta të plota në NATO. Parlamentet e 27 vendeve anëtare të BE-së kanë ratifikuar MSA-në.

Së fundi, dëshiroj t’ju garantoj zoti Kryeministër, të siguroj zotin Leight, Drejtor i Zgjerimit në Komisionin Evropian, vendet anëtare të BE-së se Shqipëria e merr këtë moment si një obligim të madh dhe e konsideron këtë si një proces, i cili duhet dhe do të jetë totalisht i bazuar në arritje. Ai është një motivim i madh i qeverisë dhe kombit tim për të punuar për këtë projekt historik.

Edhe një herë dëshiroj të falënderoj KE-në dhe të gjithë vendet anëtare të BE-së për solidaritetin e shkëlqyer që ata kanë treguar ndaj vendit tim. Faleminderit shumë.