Eshtë momenti i qytetarëve, doktor Halim Kosova për Tiranën‏

16 Apr
0

Partia Demokratike shpalli sot Dr.Halim Kosovën si kandidatin për Bashkinë më të madhe në vend. Kryetari i Partisë Demokratike tha se kjo është një zgjedhje qytetare.

“Eshtë momenti i qytetarëve. Ne vetëm njoftuam që këtë orë do ishim këtu, në zemër të kryeqytetit dhe qytetarët kanë ardhur për t’iu bashkëngjitur një ngjarje me rëndësi për  jetën e tyre, për të sotmen e tyre dhe për të nesërmen e tyre. Unë jam kryetari i Bashkisë në detyrë dhe jam kryetari i Partisë Demokratike, por sot kam një nder të veçantë i cili i tejkalon të dyja këto detyra. Sepse i jap zë sot një ndjenje, konsensusit të përgjithshëm që i ka rrokur të madh e të vogël, të djathtë dhe të majtë, burra dhe gra të Bashkisë së Tiranës dhe Komunave përreth, të një entuzjazmi që i ka tejkaluar kufinjtë e bashkisë së re të Tiranës. Eshtë një entuziazëm kombëtar që sot vetëm e formalizojmë. Kam ardhur këtu, në prani të figurave të nderuara të qytetit tonë, me një pjesë prej të cilëve sapo përfunduam një kafe miqësore, për të njoftuar një vendim i cili nuk i takon vetëm Partisë Demokratike dhe nuk ka ardhur vetëm nga gjiri i saj apo i partive opozitare, por që buçet, buçet fuqishëm nga zëri i mijëra e mijëra qytetarëve të Tiranës, të cilët kanë folur dhe po flasin dhe që me zërin e tyre kanë vendosur t’i besojnë qytetin e tyre një përqasje, një përkushtimi të ri. Një përkushtimi që vjen duke zgjedhur një mjek, jo një politikan. Një njeri që u ka shërbyer qytetarëve, njerëzve në nevojë si mjek, përmasat humane e të cilit sfidojnë çdo fjalë që unë them sot dhe që tani bëhet gati t’u shërbejë si kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës.

Duam një mjek dhe jo një politikan, thotë zëri i qytetarve dhe unë i pari dua ta respektoj këtë duke ofruar po kështu njeriun e ndershëm dhe menaxherin e sprovuar, i cili luftoi korrupsionin kudo ku iu dha përgjegjësia e menaxhimit dhe që promovoi vlerat, meritokracinë duke luftuar klientelizmin dhe horllëqet. Por mbi të gjitha, vijmë tek ju me njeriun që e do Tiranën, njeriun që ka jetuar dhe jeton në qytetin e Tiranës, që u ka shërbyer nënave, vajzave, djemve, baballarëve të qytetit të Tiranës dhe tani është gati t’i përfaqësojë ata, t’i përfaqësojë ata të gjithë dhe të luftojë për ta si Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës.

Unë jam me fat që këtë përgjegjësi, që siç e thashë tejkalon çdo atribut politik që unë kam, këtë gjithpërfshirje qytetare, të kandidatit tone, ta bëj publike, ju tashmë e dini, është  Dr.Halimi, Dr.Halim Kosova”, u shpreh Lulzim Basha.

Kandidati, mjeku i njohur Halim Kosova, tha se mbështetja që ka marrë këto ditë është inkurajuese dhe një përgjegjësi e madhe për t’i shërbyer qytetit.

“Ju falenderoj z.Basha për gjithçka thatë për mua. Falenderoj Partinë Demokratike që më besoi si kandidat i Tiranës, falenderoj të gjitha strukturat dhe qytetarët e Tiranës të cilët më janë vërsulur me telefonata dhe mesazhe të panumërta. Nuk është se jam një njeri që nuk e di se sa punë duhet për ndryshimin, por nga ana tjetër jam i bindur dhe besoj që çdo njeri që ka mundësi duhet të kontribuojë për familjen, për shoqërinë, për qytetin ku ka lindur dhe që e do, në mënyrë që ta çojmë aty ku duhet Tiranën tonë të dashur. Vij nga një sektor që është human, nga shëndetësia. Kam pasur mundësi ta demonstroj sa herë më jepej rasti, duke mos kursyer asgjë. Nuk është se po e braktis, sepse Tirana në vetëvete ka edhe sistemin shëndetësor brenda dhe me sa e lejon ligji do të mundohem me çdo kusht që të vihet në menaxhim, përse jo, ta përdorim për rreth 1 milionë banorë. Mbështetja që kam pasur këto ditë, qoftë edhe nga të dhënat që Partia Demokratike ka mbledhur, nuk është gjë tjetër veçse një detyrim i madh dhe sapo mu komunikua, dhe sapo filluan dhimbjet për të lindur lajmi i shëndetshëm, që sapo mu dha, mua si gjithmonë mu pre gjumi si në të tilla raste dhe duke u përpëlitur, bashkëshortja më totë: “Çfarë ke?”, i thash “Paska qenë e thënë që në këtë dynja të mos fle një herë rehat”. E pranoj me shumë kënaqësi sepse në fund të fundit do të sakrifikoj një grup njerëzish për t’i shërbyer popullatës e cila ka nevojë akoma më shumë për të shkuar aty ku duhet”, u shpreh Halim Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Prill 2015