Në përputhje me Rezolutën e datës 24.12.2014 të Kuvendit të Shqipërisë, në lidhje me dekriminalizimin e parlamentit dhe administratës publike, Partia Demokratike parashtron këtë platformë për dekriminalizimin:

Qëllim i platformës është dekriminalizimi i organeve të zgjedhura, institucioneve të pavarurara si dhe i administratës publike.

Objektiv i platformës është hartimi dhe miratimi i instrumentave kushtetues dhe ligjore për verifikimin, idetifikimin dhe largimin nga funksioni, i deputetit, i të zgjedhurit vendor dhe çdo funksioni tjetër të emëruar nga parlamenti në institucione kushtetuese, të krijuara me ligj, nga shërbimi civil dhe administrata publike në nivel qendror dhe vendor, si dhe pengimin e zgjedhjes apo emërimit në këto funksione në të ardhmen të personave që kanë kryer vepra penale të cilat kanë cënuar besimin publik tek ushtruesit e funksioneve të zgjedhura apo emëruara.

Instrumentat kushtetues dhe ligjore, do të synojnë vendosjen e rregullave më të ashpra për dekriminalizimin, bazuar në praktiken legjislative më të spikatur europiane dhe botërore (Itali, Mbretëri e Bashkuar, SHBA, Australi) në përputhje me jurisprudencën e GjEDNj, me qëllim përballjen sa më efikase dhe trajtimin më të thellë të situates së paprecedent të kriminalizimit të organeve të zgjedhura, funksioneve të emëruara dhe administratës në Shqipëri.

Veprat penale që do të përbëjnë shtyllën e platformës janë veprat penale që përbëjnë krim të rëndë në përputhje me përcaktimet e Konventes së Palermos e OKB-së e vitit 2000, duke nisur me krimin e organizuar, si dhe veprat që cënojnë rëndë autoritetin e shtetit si dhe besimin publik, ku përfshihen veprat korruptive.

Për raste të krimeve me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, do vendosim norma që pengojnë zgjedhjen apo emërimin në organe të larta të shtetit të personave që kanë rekorde të rënda kriminale, dhe që jane në proces hetimi apo gjykimi, dhe ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie personale (arrest me burg, etj), ose janë në kërkim policor ndërkombëtar.

Do të përcaktohen rregulla të qarta e të forta për të penguar kandidimin, zgjedhshmërinë si dhe për të bërë të pamundur qëndrimin në detyrë të personave që kanë kryer vepra penale. Ndalimi për t’u zgjedhur apo emëruar do të aplikohet në mënyre të njëjtë si për dënimet e marra në Shqipëri edhe jashtë saj.

Për veprat e rënda si krimi i organizuar, propozohet që periudha e ndalimit të kandidimit apo marrjes së një funksioni publik të jetë përjetë. Një periudhë 20 vjeçare para marrjes së mandatit apo detyrës propozohet edhe në funksion të ndërprerjes së mandateve apo funksioneve aktuale.

Për krimet e rënda, masa e ndërprerjes së mandatit apo pengimi për t’u zgjedhur apo emëruar do të lidhet vetëm me faktin e ekzistencës së rekordit kriminal dhe dënimit.

Ndërhyrjet kushtetuese dhe ligjore do të jenë në dy plane. Së pari, do të trajtohet me prioritet paraqitja e amendamenteve kushtetuese dhe ligjore për ndërprerjen e mandatit të funksionarëve të zgjedhur apo të emëruar që mbajnë mandate aktualisht dhe që kanë rekorde kriminale të rënda. Së dyti, do të ndalohen në të ardhmen personat e dënuar, nga kandidimi, zgjedhja, emërimi dhe ushtrimi i detyrës publike.

Do të ndërhyhet në legjislacionin ekzistues për futjen e procedurave efikase për verifikimin e rekordeve kriminale të funksionarëve publikë të zgjedhur apo emëruar, në detyrë aktualisht apo në të ardhmen, si dhe për ndërprerjen e mandatit apo ushtrimit të funksionit. Këto procedura do të përfshijnë detyrimin për vetdeklarim me përgjegjësi penale të mospasjes së rekordeve kriminale.

Për realizimin e kësaj platforme, në zbatim të rezolutes, parashikohet ndërhyrje në Kushtetutë me amendamente të përhershme dhe dispozita tranzitore, Rregulloren e Kuvendit, Kodin Zgjedhor, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, dhe sipas nevojës, ligjet që rregullojnë emërimin në institucione kushtetuese apo të krijuara me ligj, në sherbimin civil, etj. Në funksion të harmonizimit dhe efikasitetit të zbatimit të instrumentave të rinj, do të forcohet regjimi i mbajtjes dhe shkëmbimit të informacionit për rekordet kriminale.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 23 Mars 2015